Presidenti rus, Vladimir Putin ka kthyer në ligj një masë të re që synon të zgjerojë kontrollin qeveritar në internet.
Kritikët kanë paralajmëruar se ligji i ri, i nënshkruar nga Putini më 1 maj dhe i publikuar në faqen e Kremlinit, do të mundësojë censurën në disa pjesë të internetit.
Përveç gjërave të tjera, masa e re u kërkon ofruesve të shërbimeve të internetit që të instalojnë pajisje për të drejtuar trafikun rus përmes serverëve të këtij shteti.
Mbrojtësit e internetit kanë thënë se një gjë e tillë do t’iu mundësojë agjencive ruse të inteligjencës që të vëzhgojnë më shumë si dhe autoritetet shtetërore do të kenë më shumë hapësirë për të kontrolluar informacionin.
Megjithatë, Kremlini dhe aleatët e tij në parlament kanë mbrojtur këtë legjislacion si masë nëse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë t’i pamundësojnë Rusisë qasjen në internet.
Në rast se ndodhë një gjë e tillë, rregullatori rus i mediave, Roskomnadzor, do të mund të fitonte kontrollin e internetit në Rusi duke filtruar trafikun në këtë shtet.
Shefi i këtij institucioni, Aleksandr Zharov, ka thënë muajin e kaluar se këto masa do të shënjestrojnë edhe rrjetin social, Telegram, një aplikacion tejet popullor në Rusi.