Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të vizitojë Serbinë më 17 janar të vitit të ardhshëm, ka bërë të ditur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Dhe siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, derisa zgjidhja përfundimtare e problemit të Kosovës afrohet, dy fuqitë më të mëdha, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po luftojnë për dominim në rajon.
Pas letrës së presidentit amerikan Donald Trump, në të cilën u bën thirrje Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit për të arritur marrëveshje historike, presidenti rus nuk dëshiron të humbë kohë.
“Pasi marrëveshja në Paris më 11 nëntor nuk është arritur përkundër pritjeve, Trump ka parë si shans që të merr një rol kyç dhe mentorimin e negociatave”, citon burimet e veta nga qarqet diplomatike, mediumi serb “Blic.rs”.
Prandaj, në një letër drejtuar Thaçit ai tha se ai është i gatshëm për të pritur atë dhe Vuçiqin në Shtëpinë e Bardhë, për të festuar për zgjidhjen e problemit.
Në një letër dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, presidenti amerikan Donald Trump, ka kërkuar nga liderët në Kosovë që të shfrytëzojnë këtë moment të cilin ai e ka quajtur unik, të flasin me një zë dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Në këtë drejtim, ndër tjerash Trump, i ka shkruar presidentit Thaçi se SHBA-të janë të gatshme që të ndihmojnë në përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë.
Madje, siç është thënë tutje, një marrëveshje e tillë është e arritshme.
Për fund, ajo që bie gjithashtu në sy është fakti se Trump ka shkruar se pret që në Shtëpinë e Bardhë të mirëpres presidentin Thaçi dhe homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, për siç ka thënë “të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike”.
Dhe këtë “ngutje” të Putinit, mediumi serb e quan “panik”, për të cilën gjë shkruan se edhe ka vendosur që së shpejti të vizitojë Serbinë.
Ndryshe, Rusia njihet si mbështetëse e aspiratave të Serbisë.
Këtë së fundmi e dëshmoi edhe ambasadori rus në Vasily Nebenzja në OKB i cili mbështeti presidentin serb Vuçiq dhe Serbinë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajtur me propozimin e Serbisë, për shkak të formimit të ushtrisë së Kosovës.
Ai tha se ai ndau shqetësimin e shprehur nga presidenti serb dhe theksoi se transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës është shkelje e Rezolutës 1244 dhe se kërcënon paqen dhe sigurinë në rajon. Ai gjithashtu vlerësoi se KFOR-i ishte selektiv në përmbushjen e mandatit të tij. /Telegrafi/