Presidenti rus ka akuzuar kundërshtarët e homologut të tij amerikan Donald Trump se po dëmtojnë SHBA-të duke “shpikur histori” rreth kontakteve me Rusinë.
Në konferencën e tij vjetore, Vladimir Putin tha se kontaktet midis ekipit të Trump dhe zyrtarëve rusë përpara mbajtjes së zgjedhjeve në vitin e kaluar ishin normale.
Ai tha se opozita amerikane nuk ka treguar respekt për ata që e zgjodhën Trumpin.
Fushata e Trump është duke u hetuar për bashkëpunim me Rusinë.
Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë arritur në përfundimin se Moska u përpoq të ndikonte në zgjedhjet presidenciale në favor të Trump, por Putin mohon akuzat, transmeton KosovaPress.
“Të gjithë këto janë shpikje nga kundërshtarët e Trump, të cilët mundohen që ta quajnë punën e tij si jolegjitime”, tha Putin, kur u pyet për hetimin.
Ai shtoi se Trump ka merita për disa ‘të arritura serioze”, porse nuk ka qenë në gjendje të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë.