Vladimir Putin ka folur për herë të parë pas sulmit të armatosur në sallën e koncerteve në Moskë, ku mbetën të vdekur së paku mbi 100 persona.
Presidenti rus ka deklaruar se të shtënat e mbrëmshme ishin një “sulm i përgjakshëm terrorist dhe barbar” ndërsa thotë se të përfshirët “u përpoqën të arratiseshin drejt Ukrainës”.
“U gjetën dhe u ndaluan të katër autorët e drejtpërdrejtë të sulmit terrorist, të gjithë ata që qëlluan dhe vranë njerëz. Ata u përpoqën të fshiheshin dhe u nisën drejt Ukrainës, ku sipas të dhënave paraprake u përgatit një dalje në anën ukrainase për të kaluar kufirin shtetëror. Në total janë arrestuar 11 persona”, ka deklaruar ai.
Ukraina ka mohuar me forcë çdo përfshirje në sulm ndërsa këto vrasje masive i ka marrë përsipër Shteti Islamik.
“Të gjithë ata që e kanë planifikuar dhe ekzekutuar këtë operacion do të ndëshkohen”, tha 71-vjeçari.
“Armiqtë tanë nuk do të na ndajnë. Rusia është bërë gjithmonë edhe më e fortë gjatë sprovave më të vështira, dhe kështu do të jetë edhe tani. Askush nuk do të jetë në gjendje të mbjellë fara helmuese mosmarrëveshjeje apo paniku dhe në Rusi”, pohoi Putin.
Ai shpall ditë zie për nesër dhe u shpreh ngushëllimet familjeve të të vrarëve në sulm, raporton skynews.
Theksojmë se tashmë autoritetet ruse kanë arrestuar disa prej të dyshuarve, të cilët kanë prejardhje nga Taxhikistani ndërsa në Rusi kanë hyrë nga Turqia.
Ndryshe, Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për vrasjet, duke pretenduar se ka sulmuar një tubim të madh të të krishterëve në Krasnogorsk në periferi të Moskës. /Telegrafi/