Site icon Telegrafi

Putin eliminon kandidaten e pavarur për zgjedhjet presidenciale të Rusisë

Kandidatja e pavarur, Yekaterina Duntsova nuk do të lejohet të paraqitet në fletëvotimin e zgjedhjeve presidenciale ruse pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) refuzoi dokumentet e saj të kandidimit.

Duntsova, 40, gazetare dhe politikane lokale nga rajoni Tver në veriperëndim të Moskës, shpalli kandidaturën e saj për presidencë përmes një platformë pro paqes dhe pro-demokracisë.

Lexo po ashtu Kush është Yekaterina Duntsova, kandidatja kundër luftës që mund të rivalizojë Putinin në garën për president të Rusisë?

Këtë javë, ajo siguroi mbështetjen e një grupi iniciativë prej më shumë se 500 mbështetësish siç kërkohet për kandidatët që nuk janë pjesë e një partie politike.

Në një takim të shtunën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) hodhi poshtë dokumentet e saj, duke thënë se gjeti mbi 100 gabime shtypi dhe gabime të tjera, shkruan themoscowtimes.

“Ne i kemi studiuar me kujdes dokumentet dhe kemi përshtypjen se ato janë plotësuar me nxitim pa respektuar standardet ligjore”, citoi shërbimi rus i BBC-së, anëtarin e KQZ-së, Yevgeny Shevchenko, të thoshte në mbledhjen e komisionit.

Nëse KQZ-ja do t’i kishte pranuar dokumentet e saj, atëherë asaj do t’i duhej të mblidhte 300 mijë nënshkrime unike votuesish nga të paktën 40 rajone të Rusisë për të qenë në gjendje të paraqitej në fletëvotim.

Lexo po ashtu Putin do të kandidojë si i pavarur në zgjedhjet presidenciale të Rusisë

Pas takimit, Duntsova tha se planifikon të apelojë vendimin e komisionit në gjykatë dhe synon t’i kërkojë partisë liberale, Yabloko ta emërojë atë si kandidate.

Agjencia shtetërore e lajmeve ruse, RIA Novosti shpërndau lajme pa dëshmi se Duntsova po mbështetet financiarisht nga Mikhail Khodorkovsky, ish-oligark dhe kritik i Kremlinit.

Ndryshe, presidenti 71-vjeçar rus, Vladimir Putin pritet të fitojë me lehtësi edhe një mandat të pestë – duke e mbajtur atë në pushtet të paktën deri në vitin 2030 – në votimin e marsit të vitit 2024 pas eliminimit të pothuajse të gjithë opozitës. /Telegrafi/

Exit mobile version