Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar gjatë një takimi në Soçi më 15 maj se këtë vit do të jenë të gatshme për përdorim armët e reja ruse, duke shtuar se të njëjtat do të rrisin kapacitetin ushtarak dhe do të “sigurojnë balancin strategjik për dekada”.
Derisa marrëdhëniet në mes të Perëndimit dhe Rusisë gjenden në pikën më të ulët nga periudha e Luftës së Dytë Botërore, Putin ka thënë se nuk dëshiron luftë armësh mirëpo shteti i tij është duke zhvilluar gjeneratë të reja të armëve të cilat i ka përshkruar “të pamposhtura” nga rivalët e huaj.
Presidenti rus ka thënë se raketat Topol do të zëvendësohen me raketat ndërkontinentale Yars, derisa forcat ajrore të Rusisë do të pajisen me bombardues të modernizuar të pajisur me raketa me rreze të gjatë veprimi.
“Forcat strategjike bërthamore kanë rëndësi kyçe në mbrojtje dhe siguri”, ka thënë Putin.
Pavarësisht ekonomisë së dobët dhe problemeve qeveritare me financa, Kremlini e ka bërë modernizimin e ushtrisë prioritet kryesor edhe si pasojë e tensionimit të marrëdhënieve me Perëndimin për shkak të konfliktit në lindje të Ukrainës, luftës në Siri dhe mosmarrëveshjeve tjera. /Rel/