Telegrafi

Putin: Aeroplanin tonë në Siri nuk e rrëzoi Izraeli, por rasti nuk krahasohet me rrëzimin që na bëri Turqia

Pas rrëzimit të një aeroplani ushtarak rus në Siri, ka reaguar edhe presidenti i këtij vendi Vladimir Putin.

Në një konferencë për media bashkë me presidentin hungarez Viktor Orban, Putin ka thënë se Izraeli nuk e ka rrëzuar aeroplanin rus të tipit IL-20, transmeton Telegrafi.

Pasi i pari i Rusisë ka shprehur ngushëllime për familjet e të vdekurve, ka thënë se vendi i tij do t’i shkojë deri në fund hetimit për të zbuluar të vërtetën e rënies.

“Qëndrimi ynë është shprehur edhe në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Putin duke shtuar se vetë ai e kishte miratuar deklaratën.

Deklarata e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, theksonte se aeroplani ushtarak rus i cili ishte zhdukur nga radarët dje në Siri, është rrëzuar gabimisht nga regjimi i Asadit për shkak të sulmeve ajrore të Izraelit.

Skema e rrëzimit të avionit rus

Putin përmendi se do të ketë “masa hakmarrëse”, por ato do të jenë në shërbim të forcimit të sigurisë së personelit rus në Siri.

“Këto do të jenë hapat që të gjithë do t’i vënë re”, shtoi më tej Putin pa treguar saktësisht se çka nënkuptoi kjo.

Putin deshi të bëj të qartë se rrëzimi i mbrëmshëm i aeroplanit nuk mund të krahasohet me atë që e kishte rrëzuar Turqia dy vite më parë, pavarësisht se tash pasojat në resurse humane janë shumë më të mëdha se atëherë.

“Është një situatë tjetër, fatkeqësia ka ndodhur në rrethana aksidentale”, ka sqaruar Putin.

Ministria e Mbrojtjes së shtetit rus kishte përmendur se aeroplanët izraelit ishin fshehur pas atij rus, duke çorientuar sistemet mbrojtëse të Sirisë S-200 (që ishin të prodhimit rus), që kishin vënë në shënjestër aeroplanin rus duke rrëzuar atë./Telegrafi/