Site icon Telegrafi

Pushteti i përrallave: Ndikimi evolucionar rreth rrëfimtarisë!

Ilustrim

Nga: Senad Guraziu

Imagjinata a la “Harry Potter” dhe truku a la “Harry Houdini”…

Të ujdisësh përralla me piratë e sirenash simpatike, t’i hedhësh të leckosur në rërë diku mes palmave, herë qullosur e herë të tharë, herë tek gajasen e herë duke qarë, herë të dehur a herë të lagur, herë të çmendur e herë të matur, t’i ndërthurësh ca pallavra dialogjike me nuancat e panumërta si aventura të piraterisë, dhe gjithçka në fund ta paketosh me një titull, p. sh. “Piratët e Karaibeve”… pse jo! E ke imagjinatën të bujshme, atëherë “no problemos”, tutje thjesht çështje e biz-aftësisë hollivudeske se si duhet gjeneruar milionat e suksesit.

Të imagjinosh mbretëri të paqena të së shkuarës, ta kryqëzosh mitologjinë keltike, gjermanike, helenike a nordike me video-efekte e me dritash magjike, të kurdisësh rrëfime rreth mbretërive e perandorive që kurrë s’kanë ekzistuar, natyrisht që ia vlen. Andaj dhe quhet industri e argëtimit.

Mirëpo, e qartë, për argëtimin filmik, vetëm kronikat e historisë reale tashmë sikur do ishin jashtëzakonisht të pafuqishme. Gjërat do ishin tepër “boring” (vizuelisht do ishin histori monotone, bajate, të mërzitshme). Afërmendsh të tilla storie tepër rrallë ose dhe fare s’janë në gjendje t’i rrotullojnë qindra-milionat në “zgarën” e investimeve. Ndonjë “Trojë” mitologjike dhe do ia dilte disi – mirëpo rishtas, se mos mitologjitë na qenkan historira reale, kahdo të rrotullohet … rishtas kemi të bëjmë me përrallat.

Biz-industria e Hollivudit dhe filmografia moderne në fakt sikur kapen për “kashtën” më të flashkët të ironisë. Hollivudi sikur na e thotë faktin më të thjeshtë të asaj idesë së “vogël” (rreth ideve të vogla) gjeniale – shpike një përrallë “hari-potereske”, injektoje imagjinatën me lloj-lloj dritash e efektesh të Houdini-magjistarit (po, njëjtë dhe ai quhej Harry, Harry Houdini), dhe ja .. kështu gjenerohen qindra-milionat e miliardat. Pikë, pikë ordinere, jo pikëçuditëse!

Dëshmia më e mirë dhe fare “troç”, le t’themi se është suksesi i përtej-arsyeshëm i “branshës” Harry Potter (e gjithë industria, d.m.th. e librave, filmave, lojërave, reklamave, kukullave … gjithçka). Vallë aq shumë na argëtuakan gënjeshtrat magjike, edhe tani në shek.. XXI!

T’i kthesh në “industri” prej miliardash ca përrallash të vetme … t’i shesësh “flluskat e fantazisë” në 200 vende të botës, për mua sikur ngelet “habia” më madhe. Natyrisht, është aso … si duhet thënë, jo aso habie që na pikëllon, por habi neutrale, e përcjellur me buzëqeshje.

Habia rreth “Game of Thrones” …

Një dokumentar rreth zinxhirit produksional të TV-serisë amerikane “Game of Thrones” nuk më qe dukur aq “interesant” (e pata parë disa muaj më parë). S’them se nuk ishte material informativ, dhe e pata përcjellur deri në fund, ama jo dhe aq interesant. Përveç “organizimit”, aftësisë organizative të jashtëzakonshme, pastaj të disiplinës rreth sjelljes në vendin e vet të miliona detajeve të “mozaikut”, sikur tutje s’më mahnit asgjë nga mrekullitë e mega-projekteve hollivudeske.

Kur flitet për projektet e mëdha filmike, e njohur më është që involvohen me miliona “cikërrima e detajesh teknike”. E njohur më është se duhet orkestruar bashkëpunimi dhe mbarëvajtja e punës së qindra studiove (andej e këndej oqeanit – në fakt shpesh nga e gjithë bota). E njohur më është se duhet koordinuar idetë e sugjerimet profesionale të mijëra specialistëve …

Me fjalë të tjera, prapa skenës së filmave të “mëdhenj” duhet sinkronizuar bota e “artit të shtatë” me një botë tjetër marramendëse, me një botë të stërmadhe në vete, me një botë prapaskenike të veglave e të bizneseve. Sikur gjithçka e të dy botëve graviton a rrotullohet rreth atij aksit kolosal-industrial të biznesit – komercializmit – suksesit (fitimprurjes).

Çfarë nuk dija unë, doli të jetë pikërisht “çështja e organizimit” (që përmenda) – sipas studiuesve, “aftësia organizative” na qenka në fakt rezultat i evolucionit lidhur me tregimtarinë, si mjeshtri, si zotësi!

Gjithsesi, disa info nga dokumentari dhe më patën çuditur, s’e mohoj. Vallë si është e mundur – po thosha, TV-seria na i paska tetë vjetë duke u vërtitur, u shfaqka në mbi 180 vende të botës, qenka TV-shou më i madh i botës, seriali më i popullarizuar i të gjitha kohërave, për shtat vjet rresht qenka filmuar-xhiruar nëpër lokacionet aneskaj botës, na i paska ndoshta 80 a 100 episoda … e ti s’e ke parë as dhe 1 të vetme prej tyre! Vallë si është e mundur!?

Përveç muzikës (një minutëshe) që përdoret në intro-titullimën e serisë, asgjë tjetër s’më ishte e njohur rreth kësaj TV-serie (muzika ka vite që më është e njohur, si kompozim i Ramin Djawadi, një kompozitor i ri i muzikave filmike-epike, kompozitor iranian-gjerman, nëse s’gabohem)! Kjo “mahnitje” e imja thua se flet qartë sa i prapangelur isha, jam (padyshim dhe do ngelem) rreth disa gjërave. 180 vende i përcillkan përrallat, rrëfimtarinë filmike imagjinare të “Game of Thrones”, ndërsa unë s’e kam idenë!

Ndoshta sepse dhe s’të bëjnë aq shumë përshtypje përrallat – sikur e ngushëllova veten.

Imagjinatat rreth “fantazive” për të ardhmen, qofshin utopike a distopike, nëse t’mos jetë fjala për fantazi të sëmura e nonsens, nëse struktura e narracionit nuk largohet fort nga “realiteti i mundësive të shkencës tokësore”, atëherë dhe mund t’më duken sadopak interesante. Sepse, në fakt, edhe mësojmë ndonjë diç të re, ndonjë ide origjinale, të pathënë nga askush më parë.

Mirëpo, fantazitë dhe finesat fiksionale-shtojcë, bazuar në përrallat e së kaluarës, ardhur a sjellur në jetë vetëm për hir të argëtimit, sikur s’më ofrojnë ndonjë diç. Mund t’më bëjnë kureshtar gjërat e detajet “ekstra” që eventualisht zbulohen rreth fakteve historike (që veç njihen nga historiografia). Përndryshe vërtitja dhe kombinimi i fantazive të “thata”, fiksioni bosh, thjesht duke i ndërthurur e përzier ngjarjet narrative në një mënyrë tjetër (vizuelisht në një milion variantesh) … s’më duket aq impresive.

  1. sh. ka sa të duash versione rreth përrallave “arturiane”, siç e dimë mund të prodhohen plus qindra versione të tjera legjendash, qoftë filmike qoftë tjera. Secilin vit ndoshta i kemi (ose mund t’i kemi) një, dy, tri … versione të reja rreth “Mbretit Artur”. Herë do na flasin për romantizmat, për tinëz-aventurat e Ginevres me Lanselotin, herë mund t’jetë fjala për ndonjë gosti interesante mbretërore, për dollitë, për ngjarjet e intrigat rreth e rrotull dasmës, herë për tavolinën e “rrumbullakët”, për trimërinë e fisnikërinë kalorsiake, e herë …

Shtjellimi i ngjarjeve fiksionale dhe i personazheve është thjesht i pakufizuar – i vetmi faktor “kufizues” në fakt është imagjinata. Dëshmia më e mirë e kësaj është shkrimtarja miliardere, autorja e Harry Potter-magjisë.

Pushteti i përrallave, ndikimi evolucionar rreth rrëfimtarisë …

Një artikull i Brian Gallagherit me titull “Evolutionary Significance of Storytelling” (Rëndësia Evolucionare e Tregimeve) sikur provonte të thoshte se rrëfimtaria, zotësia apo mjeshtëria e tregimtarisë është madje kushtimisht e lidhur me evolucionin tonë si specie …

Për çudi, edhe autori Gallagher vërtitej andej-këndej me shembullin e “Game of Thrones”. Në shkrimin e vet ai nisej me një pyetje të Tyrion Lannister: “Çfarë i bashkon njerëzit? Mos vallë Ushtritë? Zotat? Flamujt? Jo, por tregimet (rrëfimet, historirat). S’ka asgjë në botë më të fuqishme sesa një histori e mirë”.

Gallagher konkludon se Lannister kishte fort të drejtë. Konkuzionin e vet Gallagherit e mbështet në disa vështrime personale, siç e cekëm, ai niset e vërtitet rreth TV-serisë “Game of Thrones” (seria mund të ketë qenë dhe frymëzimi për artikullin e vet), por gjithashtu duke e përfshirë dhe ndihmën nga një studim i Daniel Smith dhe Andrea B. Migliano (antropologë, University College London).

U mahnita kur mësova se TV-seria “Game of Thrones” sipas miliona fansave nuk paska “përfunduar profesionalisht” siç i ka hije. U mahnita kur mësova se qenka nënshkruar madje peticion që episodat e sezonit tetë të ribëhen, me skripte nga “shkrimtarë kompetentë”! Peticioni i fansave të pikëlluar i paska mbledhur afro dy milionë nënshkrime. Sipas fansave është e pafalshme që një “storie” favorite të përfundojë aq keq.

Sipas Gallagherit, ky zhgënjim i fansave rreth përfundimit të “Game of Thrones” tregon se sa pushtet ka patur mbi ta kjo përrallë.

“Ç’është ajo diç, që i pezmaton njerëzit kur ata mendojnë se tregimi s’ka përfunduar si duhet?”, pyet autori Gallagher. Pastaj vetë përgjigjet: “ndoshta zhgënjimi i tyre rrjedh nga barra evolucionare e rrëfimtarisë, dhe të cilën (në rastin e ‘Game of Thrones’) parapritej që tregimtarët ta bartnin qartas, ta përcillnin”.

Gallagher ia shton dhe një detaj, në vitin 2012 në “New Yorker” paska lexuar se tifozët e video-lojërave i qenë lutur zhvilluesit Bioware që ta rishqyrtonte ose ribënte përfundimin e “episodit” të fundit në (trilogjinë e mirënjohur) “Mass Effect 3”, dhe se fansave u qe plotësuar dëshira.

Për fat të keq, rrëfimtarët e “Game of Thrones” paskan dështuar me çështjen më bazike evolucionare rreth “storytelling”. Si rrjedhojë tani ata do t’ballafaqohen me konsekuencat peticionale të rirrëfimit. Kërbaçi i zhgënjimit të fansave nga e gjithë bota do t’i fshikullojë pa mëshirë. Se mos do t’na mërziten ata, aq iu “bën” atyre për peticione, ja shansi për t’i ri-fituar dhe qindra-miliona të tjerë.

Mjeshtëria e rrëfimtarisë është padyshim njëra nga aftësitë më të lakmuara në shoqërinë moderne – thotë Gallagher. Ai vazhdon se studiuesit Smith e Migliano sugjerojnë se aftësia e dukshme e disa njerëzve për të sajuar dhe transmetuar tregime bindëse, ka evoluar në historinë e specieve tona si një pararendëse “e formave më të përpunuara të narratives fiksionale, të tilla si moralizmat për perënditë supreme”. Kjo, sipas antropologut-evolucionist të Harvardit, Joseph Henrich, mund ta ketë nxitur kompleksitetin shoqëror, “nga tregimi i thjeshtë tek religjioni më kompleks, dhe më vonë tek institucionet formale komplekse siç janë shtetet, kombet”.

Autori Gallagher e mbyll “konkluzionin” e vet me konkluzionin e studiusve Smith e Migliano: “Evoluimi i tregimtarisë mund të ketë qenë thelbësor në organizimin dhe promovimin e bashkëpunimit njerëzor … prania universale dhe antikiteti i tregimtarisë na flet se mund t’jetë një përshtatje e rëndësishme njerëzore, që e inkurajoi bashkëpunimin dhe avancimin social si specie”.

Pra, rrëfimtaria, zotësia, mjeshtëria e tregimtarisë është madje e lidhur me evolucionin tonë si specie sociale.

 

 

Exit mobile version