Site icon Telegrafi

Pushteti dhe pikë!

Nëpër shkollat tona vazhdimisht kemi mësuar se ne shqiptarët jemi një popull që jetojmë nw Ballkan, por që kemi dallime shumë të mëdha me popujt tjerë të cilët po ashtu jetojnë në këtë pjesë të botës. Shumica kemi fe tjetër, zakone tjera dhe gjuha jonë nuk ka asgjë të përbashkët me gjuhwt e popujve tjerë. Janë bërë luftëra e luftëra vetëm e vetëm të jemi këta që jemi sot, t’i mbrojmë vlerat tona kombëtare e fetare. Pas shumë e shumë sakrificave, gjeneratë pas gjenerate, shqiptarët arritën t’i ruajnë këto vlera dhe sot kemi dy shtete shqiptare në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova.

Si po “ecën” shteti i Kosovës sot?!

Duhet ta kemi parasysh që ne shqiptarët kemi arritur deri këtu duke derdhur shumë gjak, mund dhe sakrifica të shumta, e po ashtu duke i’u falënderuar mbështetjes dhe ndihmës së pa rezervë të SHBA-ve në çdo aspekt. Shtetin tanimë e bëmë, por nëse shikojmë se si është duke funksionuar ky shtet, me të vërtetë është për t’u turpëruar se çfarë jemi duke i bërë vetes. Po të kishim mundësi e t’i ringjallnim figurat e njohura kombëtare, të cilët e kanë shitur pasurinë e tyre për të arritur këtu ku ne jemi tani, jam shumë i sigurt se nuk do të besonin kurrsesi se këta udhëheqës kanë gjak shqiptari.

Në vend që të organizohemi dhe ta forcojmë shtetin tonë dhe të gjithë njëkohësisht të kontribuojmë me mundësitë dhe kapacitetet tona qe vërtetë të jemi të pavarur dhe si të tillë ta qeverisim atë dhe ta forcojmë si ushtarakisht e po ashtu edhe ekonomikisht, ne sot jemi në gjendje të lejojmë që në qeverinë e re të hynë serbët dhe të na qeverisin. Ne Kosovën e pavarur prapë serbët na qeverisin…!, por kësaj radhe me ftesën tone dhe plotësisht me dakordimin tonë. A janë të vetëdijshëm këta “politikanët” tanë se në çfarë pozite është Kosova sot dhe për çka më së shumti ka nevojë? A janë të vetëdijshëm që sot Kosova njihet si shtet nga vendet më të fuqishme evropiane dhe botërore duke pasur parasysh mbështetjen dhe prezencën e fortë amerikane në Kosovë? A janë të vetëdijshëm këta “burrështetasit” tanë që Kosova dhe shqiptarët ende janë të rrethuar nga armiqtë me të cilët kemi luftuar me dekada e me shekuj, dhe po të njëjtit janë edhe sot? Kur e shikojmë këtë gjendje nuk na mbetet të themi tjetër përpos “Faleminderit Amerikë që të kemi këtu”, se po të mos kishim ty, as ne nuk do të ishim.

Vetëm se një gjë duhet ta kemi parasysh se gjatë historisë së njerëzimit ka pasur shtete të ndryshme që kane qenë superfuqi botërore sikurse janë sot SHBA-të, por sot nuk janë. Dhashtë Zoti që SHBA-të ta kenë këtë fuqi siç e kanë sot sa të ekzistojë njerëzimi, pasi që siç jemi duke punuar ne për shtetin tonë është e vështirë të besohet se do të mund të ekzistonim si shtet
Gjërat në Kosovë lëre që nuk janë duke ecur para, por as nuk po qëndrojnë aty ku janë, përkatësisht jemi duke bërë hapa mbrapa. Këtu qëndron fatkeqësia, për udhëheqësit tanë më primare është PUSHTETI se sa SHTETI. Pushteti është ai i cili iu mundëson komoditetin dhe mundësinë për t’u pasuruar, vetëm pushtetin mund ta ndiejnë si diçka që u përket atyre dhe se duhet të mbahet dhe të ruhet në çdo mënyrë dhe me çdo kusht. PUSHTETI dhe pikë. Shteti… është i te gjithëve…

(Autori është ekonomist i diplomuar)

Exit mobile version