Dy subjektet që negociojnë mbi propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike akuzojnë njëra-tjetrën për zvarritjen e negociatave. LSDM-ja akuzon OBRM-PDUKM-në se me qasjen e saj nuk dëshiron shtet të së drejtës.
“Interesi i vetëm i OBRM-PDUKM-së dhe Hristijan Mickoskit është që të mos ketë drejtësi. Të shpëtojnë nga përgjegjësia penale kriminelët dhe të fortit nga radhët e partisë opozitare. Tentativa e tyre për shkatërrimin e lëndëve të PSP-së nuk kishte sukses, prandaj nervozizmi në pallatin e bardhë sa shkon e rritet”, tha Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.
OBRM-PDUKM akuzon socialdemokratët si fajtorë për mungesën e kompromisit. Sipas tyre, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska ka ndryshuar tekstin e ligjit për të cilin është negociuar.
“Për ne është e papranueshme që në negociatat për një ligj kaq serioz të vihet me qasje jo serioze të një ministre e cila sjell propozim tërësisht të ndryshëm nga ai që ndodhet në Kuvend. Neve lëmë mundësi dhe hapësirë derisa janë të pastër në qëllimet e tyre, të bisedohet për propozimin i cili është diskutuar në takim liderësh dhe në grupet e punës”, theksoi Dimçe Arsovski, zëdhënës i OBRM-PDUKM-së.
Derisa grupet e punës presin sinjalin e liderëve për t’i vazhduar takimet, liderët nga ana tjetër kanë deklaruar se marrëveshja mes tyre buron nga grupet e punës.