Klubi i basketbollit Peja ka reaguar për ndarjen nga jeta të drejtorit menaxhues të Telegrafit dhe artistit Arlind Gjikolli – Gjikla.
Në moshën 41-vjeçare – pas një sëmundjeje të rëndë – ndërroi jetë një nga artistët më të mëdhenj të vendit tonë, por edhe një nga kolegët më frymëzues.
Përmes një postimi në faqen e tyre në Facebook, KB Peja ka shprehur pikëllimin për vdekjen e Gjikollit.
“Pusho i qetë Gjikla”
“I ka Peja disa djem… “
“One of us, ALWAYS (Gjithmonë njëri prej nesh)“, janë fjalët e tyre.
Po ashtu, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ngushëlluar familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe komunitetin artistik për ndarjen nga jeta të Gjikollit.
“Arlind Gjikolli – Gjikla, një nga pionierët e muzikës rap në Kosovën e pasluftës, anëtar i grupit WNC që revolucionarizoi skenën e muzikës me hymnet që nga sot do të jehojnë në përjetësi. Kontributi i tij në rap skenen e Kosovës dhe të Pejës ka qenë dhe do të mbetet me peshë”.
“Arlindi ishte edhe një vizionar i rrallë në industrinë e mediave dhe marketingut, por mbi të gjitha një bashkëqytetar model të cilit vendi ynë do t’ia ndjej shumë mungesën”, ka shkruar Çeku në mesazhin e tij ngushëllues.
Ceremonia e varrimit do të mbahet sot, e martë në orën 15:00 në varrezat e qytetit të Pejës. Funerali niset nga shtëpia e të ndjerit, rruga “Mbretëresha Teutë”, numër 89. /Telegrafi/