Vaksinimi nuk është i detyrueshëm në Zvicër. Por me normën e vaksinimit që mbetet prapa asaj të shumicës së vendeve të krahasueshme, disa kompani kanë vendosur që “karota është më e mirë se shkopi” kur inkurajojnë punëtorët e tyre që të marrin vaksinën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, duke pasur parasysh që sëmundja dhe mungesa e lidhur me Covid-19 mund t’i kushtojë kompanive shuma të konsiderueshme parash, disa po dalin me ide për të siguruar që punëtorët e tyre – dhe jetesa e tyre – të jenë të mbrojtur.
Këto masa vaksinimi variojnë nga koha e lirë deri te paratë.
Çfarë shpërblimesh u japin kompanitë zvicerane punonjësve të tyre për të marrë vaksinën?
Sipas TheLocal.ch, përcjell Telegrafi, për shembull, shitësi zviceran i modës Tally Weijl u jep punonjësve të tij dy ditë pushim: një ditë të lirë për të marrë vaksinën dhe një tjetër si shpërblim.
“Është shumë e rëndësishme për ne që punonjësit tanë të mbrojnë klientët tanë dhe veten sa më mirë kundër coronavirusit përmes një vaksinimi”, ka thënë CEO i kompanisë Beat Grüring.
Tally Weijl punëson 635 njerëz në të gjithë Zvicrën.
Ndërkohë disa kompani zgjedhin shpërblime monetare.
Bonusi prej 200 frangash është në tryezë – fjalë për fjalë dhe figurativisht – deri në fund të tetorit për punonjësit e Swiss Casinos, një grup që operon me kazino në Cyrih, St. Gallen dhe Schaffhausen.
“Ne kemi përjetuar një bllokim dy herë në dy vitet e fundit dhe na është dashur ta mbyllim kompaninë”, ka thënë drejtori menaxhues Marc Baumann.
“Ne patjetër duam ta parandalojmë atë” të mos ndodhë përsëri, shtoi ai.
Grupi industrial Utz nga Aargau gjithashtu do të japë 200 franga për çdo punonjës që merr vaksinën e dytë deri më 20 shtator.
Një letër e dërguar nga menaxhmenti i Utz drejtuar 250 punonjësve vinte në dukje se “është shumë e rëndësishme të arrihet një shkallë e lartë e vaksinimit në kompani – kjo mbron punonjësit tanë nga infeksioni dhe mban prodhimin në punë”.
Dhe Carsten Diekmann, kreu i Grupit Utz në Zvicër, vuri në dukje se vaksinimi i sa më shumë punonjësve nuk është vetëm një vendim i zgjuar shëndetësor, por gjithashtu ka kuptim biznesi.
“Sa më shumë punonjës të vaksinohen, aq më pak ka të ngjarë që një numër i madh të sëmuren ose të duhet të karantinohen”.
A ka kuptim strategjia e bonusit për kompanitë?
Po, sipas Rudolf Minsch, kryeekonomist në Economiesuisse, një organizatë ombrellë për bizneset zvicerane.
“Mund të jetë jashtëzakonisht e kushtueshme që një kompani të ketë punonjësit e saj në karantinë. Kjo është arsyeja pse shumë kompani kanë një interes të madh që fuqia e tyre e punës të vaksinohet”, tha ai.
Skema e kompensimit vjen si një shkallë relativisht e ulët e vaksinimit në Zvicër – më e ulët se në të gjithë BE – dhe ndez shqetësime në mesin e zyrtarëve shëndetësorë pasi njësitë e Kujdesit Intensiv janë në prag të mbipopullimit.
Ashtu si disa punëdhënës përdorin sistemin e bonusit për të joshur njerëzit të vaksinohen, dy qytete zvicerane kanë miratuar një qasje novatore për të bërë që banorët ngurrues të “ngrenë mëngët”.
Si pjesë e fushatës së saj të vaksinimit, Cyrihu do të administrojë vaksina në një tramvaj.
Dhe në mënyrë që të rinjtë të merrnin vaksinat, Lozana dërgoi një njësi mobile në fundjavën e 3 dhe 4 shtatorit në rrethin Flon të qytetit, një nga strehimet e preferuara të natës të të rinjve.
Autoritetet komunale thanë se 120 persona u vaksinuan gjatë asaj kohe. /Telegrafi/