Edhe pse ditë më parë u raportua se në zonën e Prishtinës dhe Fushë Kosovës, disa qytetarë kishin njoftuar për rrezikun që po e kanë nga pusetat e hapura, nga Komuna e Fushë Kosovës heshtin, derisa Komuna e Prishtinës thotë se çështja është adresuar dhe do të intervenohet sa më shpejt.
Drejtoria e Investimeve Kapitale në Komunë të Prishtinës kanë thënë për Telegrafin se pusetat mund të jenë të hapura dhe pa kapak për arsye të panjohura.
Por siç thanë ata, kërkesën e kanë adresuar tek menaxheri i kontratës për Intervenime infrastrukturore në mënyrë që të intervenoj sa më shpejt.
“Puseta për të cilën bisedojmë mund të jetë pa kapak për arsye të ndryshme të panjohura, më parë nuk ka qenë e hapur, mirëpo kërkesën e kemi adresuar menjëherë tek menaxheri i kontratës për Intervenime infrastrukturore në mënyrë që të intervenoj sa më shpejt”, thuhet në përgjigjen nga drejtoria e Investimeve Kapitale në Komunë të Prishtinës.
Ndërkaq, nga Komuna e Fushës Kosovës ende nuk ka përgjigje për një puset të hapur e cila gjendet në rrugën e “Uglarit”.
Ndryshe, qytetarët kanë raportuar në redaksinë e Telegrafit, se këto puseta të hapura (në mungesë të kapakëve) paraqesin rrezik jo vetëm për të rriturit, por edhe për fëmijët. /Telegrafi/