Ndërtimi i të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë” ka përplasur qeverinë dhe opozitën.
Përmes një komunikate për medie, LDK-ja ka thënë se “Me këtë veprim ata de-legjitimojnë dhe degradojnë shtetin e Kosovës, duke e nëpërkëmbur njëkohësisht edhe identitetin e Universitetit të Prishtinës”.
LDK ka kërkuar që menjëherë të shkarkohet ministri Goran Rakiq i cili mori pjesë në vënien e gurthemelit të këtij objekti dhe të parandalojë me çdo kusht ndërtimin e këtij objekti.
LDK-së i është kundërpërgjigjur zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci.
Pupovci thotë se Kuvendi i Kosovës në vitin 2008 i ka dhënë kompetenca speciale Mitrovicës së veriut në menaxhimin e këtij universiteti dhe sipas tij pa pëlqimin e palës serbe ligji nuk mund të ndryshohet.
“E vërteta është se “Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut”. Këtë e pranon edhe vet LDK, duke ju referuar në reagim Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ndërsa unë po ja shtoj edhe Ligjin për Arsimin në Komuna, i cili në nenin 14 i jep Komunës së Mitrovicës së Veriut kompetenca speciale për menaxhimin e këtij Universiteti, përfshirë aprovimin e statutit të tij, që për të gjitha universitetet tjera e bën Kuvendi i Kosovës. Këto dy ligje janë aprovuar në majin e vitit 2008, me procedurë urgjente, dhe bëjnë pjesë në legjislacionin vital i cili nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e përfaqësuesve të komunitetit serb”, ka shkruar zëvendësministri i Arsimit, duke thënë se “të gjithëve ju kujtohet përbërja e koalicionit qeverisës dhe e shumicës parlamentare në atë mandat”.
Pupovci më tej ka akuzuar vet LDK-në për këtë çështje duke thënë se sa ishte kjo parti në qeveri janë pranuar diplomat që kanë dalë nga ky “universitet”.
“E pavërteta konsiston në pohimin se “asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogrameve të Republikës së Serbisë”. Ne fakt, legjitimimi ka ndodhur më 30 dhjetor 2015, kur Qeveria e koalicionit LDK-PDK ka aprovuar Rregulloren 21/2015 përmes së cilës shtetasve të RKS që kanë mbaruar studimet në Universitetin e Mitrovicës së Veriut ju njihen diplomat për qëllime punësimi. Sipas të dhënave zyrtare, deri më 30 prill 2021 janë njohur 1,709 diploma të lëshuara nga ky Universitet. Nuk e di si mund të legjitimohet më mirë një universitet sesa duke ju njohur diploma”.
Zëvendësministri i Arsimit thotë se problemi i Universitetit të Mitrovicës së Veriut është kompleks dhe sipas tij ai nuk zgjidhet duke akuzuar qeverisjen që nuk ka fare gisht në legjitimimin e tij./Telegrafi/