Site icon Telegrafi

Punonjësja shëndetësore italiane e pavaksinuar që donte të infektohej me coronavirus vdes prej tij

Një punonjëse shëndetësore e pavaksinuar vdiq nga COVID-19 në Alessandria të hënën, tha të martën sindikata e infermierëve të Italisë, Nursind.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, gruaja, 64 vjeçe, kishte shprehur dëshirën për të marrë virusin.

Ajo ishte pezulluar nga puna e saj në një spital të Alessandria për refuzimin e vaksinës.

Në një video të postuar në nëntor ajo tha se “është më mirë të vdesësh në këmbë sesa të vdesësh duke u zvarritur në tokë”.

Ndryshe, Qeveria e kryeministrit Mario Draghi pritet të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të COVID-19 deri më 31 mars në një mbledhje të kabinetit më vonë të martën, thanë burimet, shkruan ANSA.

Gjendja e jashtëzakonshme, e cila i jep qeverisë kompetenca të veçanta dhe është zgjatur disa herë që nga shpallja e parë kur shpërtheu pandemia në fillim të vitit 2020, ishte caktuar të përfundojë në fund të këtij viti.

“Në mbledhjen e kabinetit sot do të merren më shumë vendime për urgjencën që po kalojmë”, citohet të ketë thënë ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza. /Telegrafi/

Exit mobile version