Telegrafi

Punonjësit shëndetësor kërkojnë zbardhje të rastit me foshnjën, e jo gjykime pa prova

Ende nuk ka epilog nga Komisioni i Fëmijëve, i cili duhet të përcaktojë nëse infermierja e Imunologjisë e ka lënduar me dashje foshnjën tre muajshe nga Saraji, siç pretendonte familja. Edhe pse ishte paralajmëruar për ditën e sotme, nga klinika nuk thonë nëse është formuar fare organ i tillë për ekspertizë dhe ku duhet të japë deklaratë infermierja.

Në pritje të zbardhjes së rastit, vijojnë reagimet e profesionistëve dhe shoqatave shëndetësore, të cilët thonë se nuk ka asnjë person mjekësor që dëshiron të dëmtojë një pacient. Ata kërkojnë prova të fajit në fillim, dhe më pas edhe dënime edhe sanksione. Ngjarjet po monitorohen nga afër nga Sindikata e Infermierëve.

“Thirrja jonë në emër të Sindikatës është që të gjitha institucionet relevante të marrin qëndrim duke e zbardhur sa më parë rastin. Raste të tilla të pazbardhura dhe raste të tilla të padëshmuara nuk guxojnë të bëjnë asnjë njollë në profesionin tonë infermieror”, thotë Gordana Beshliovska, kryetare e Sindikatës së Shoqatave “Za Nas”.

Niko Beqarovski kërkon që menjëherë të miratohet ligji për të drejtat dhe mbrojtjen e punëtorëve shëndetësorë.

“Nëse vërtetohet se ka një monstër të tillë në radhët tona, ai duhet të dënohet më rëndë, por nëse kjo është vetëm një tjetër përballje politike për të krijuar tensione të panevojshme ndëretnike, urdhëruesit duhet të damkosen publikisht. Sot “viktima” është një infermiere në Pediatri, por nesër mund të jetë secili prej nesh”, shkruan Beqarovski në Facebook.

Infermierja nga Klinika e Fëmijëve dje ka marrë mbështetje nga Sindikata Klinike, anëtare e së cilës është, nga ku kanë kërkuar nga autoritetet që të zbardhet rasti dhe të mos akuzohet askush para se të vërtetohet fajësia.

Pasi familja akuzoi punonjësen e shëndetësisë për plagët e foshnjës dhe ata me kërkesë të tyre u larguan nga klinika, edhe pse duhej të qëndronin edhe disa ditë, ministri i Shëndetësisë shkoi menjëherë për t’i vizituar në Saraj.

Ndonëse rasti është bërë publik pak ditë më parë, ende nuk është dorëzuar asnjë denoncim në MPB, e as nuk është bërë ankesë për trajtim joprofesional në Klinikën për sëmundje të fëmijëve.