Telegrafi

Punonjësit e DAP-it do të duhet ta kthejnë rritjen e pagave

129 punonjës të Drejtorisë së të Ardhurave Publike do të duhet ta kthejnë shumën e rritjes që e kanë marrë që nga muaji shkurt pasi në letër janë avancuar si nëpunës tatimor, por praktikisht kanë vazhduar të kryejnë veprimtari administrative, ka përcaktuar Inspektorati Shtetëror i Punës. Drejtoresha e re e DAP-it, Elena Petrova, shpjegon se punonjësit tani janë të ekspozuar ndaj pasojave për shkak të sjelljes së pamatur të drejtoreshës së mëparshme.

“Unë jam përballur dhe duhet të zbatoj urdhrin e Inspektoratit të Punës që kërkon anulimin e vendimit me të cilin Drejtori i mëparshëm i Drejtorisë së të Ardhurave Publike në shkurt anuloi kontratat e punës të të gjithë punonjësve të DAP-it, dhe në të njëjtën kohë i urdhëroi ata të vazhdojnë të punojnë deri në lidhjen e kontratave të reja sipas rregullave të reja të brendshme. Shfuqizimi i këtij vendimi tani nënkupton shfuqizimin e të gjitha pasojave ligjore të tij, që do të thotë se kontratat e lidhura me punonjësit pas shpalljes së zgjedhjeve që kanë ndikim në pagat e paguara ndaj punonjësve të caktuar do të shfuqizohen”, tha Elena Petrova, Drejtoreshë e DAP-it.

Kontratat që janë lidhur nga muaji shkurt e në vazhdim, me të cilat punonjësit kanë përfituar avancim në detyrë dhe ngritje pagash, kanë qenë në përputhje me Rregulloret e brendshme të DAP-it, për të cilat pëlqim ka dhënë edhe Ministria e Shoqërisë Informatike dhe e Administratës.

“Pëlqimi i Ministrisë së Shoqërisë dhe Administratës për këto Rregullore u lëshua në bazë të një lloj manipulimi dhe futjeje të vendeve të punës në Rregulloret, që nuk kishin për qëllim të plotësoheshin dhe nuk u plotësuan. Për më tepër, pëlqimi u dha në të njëjtën ditë, më 9 shkurt, kur ministri që i nënshkroi ishte i shkarkuar, që është moralisht dhe politikisht e rrezikshme”, shtoi Elena Petrova, Drejtoreshë e DAP-it.

Rregulloret mbi të cilat punonjësit kanë punuar që nga shkurti e këtej, të lidhura në periudhën parazgjedhore, janë lëndë hetimi nga anëtarët e antikorrupsionit. Nga ana tjetër, Petrova thotë se viktima më e madhe në këtë situatë janë punonjësit, të cilët do të duhet të paguajnë diferencën në pagën që kanë marrë, por tha se në bashkëpunim me sindikatat, do të përpiqet të gjejë zgjidhje. Dëmi total i avancimit fiktiv është në shumën bruto prej 18 milionë denarë./Alsat/