Telegrafi

Punonjësi i shkollës në SHBA e godet me grusht në kokë 3-vjeçarin autik, e mbajti për këmbësh me kokë poshtë

Prindërit e një fëmije autik 3-vjeçar në SHBA kanë publikuar një video ku shihet një punonjës i një institucioni arsimor duke goditur djalin e tyre 3-vjeçar në kokë, dhe më pas duke e mbajtur me kokë poshtë në korridor duke i mbajtur këmbët.

Taneshia Lindsay ndau në faqen e saj në Facebook pamjet e kamerave të sigurisë nga korridori i qendrës së mësimit të hershëm, Rosa Parks në Deyton, të marra më 21 gusht, transmeton Telegrafi.

Ajo tha se drejtori i shkollës fillimisht i tha se djali i saj, Braylen, ishte “lidhur” nga një anëtar i stafit, por pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë një pamje krejtësisht të ndryshme. Punonjësi dha dorëheqjen pas incidentit.

Videoja tregon Braylen duke vrapuar në korridor. Punonjësi fillimisht e ndjek pas dhe më pas e godet me grusht në kokë, duke bërë që 3-vjeçari të bjerë në tokë.

Pastaj një punonjës i shkollës e mban Braylen me kokë poshtë nga kyçet e këmbëve të tij, raporton NBC News.

“Drejtori nuk na tha të gjithë të vërtetën. Siç mund ta shihni, ishte shumë më keq se kaq”, tha Lindsay.

Avokati i prindërve, Michael Wright, tha se shkolla gënjeu familjen dhe i mbajti në errësirë.

“Ata nuk ishin transparentë dhe duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ai.

Lindsay deklaroi se ajo duhej të dërgonte tre email në shkollë përpara se t’i jepnin pamjet.

Ajo nuk e mori videon deri më 11 shtator, tre javë pas incidentit, por nuk e mori atë të plotë.

“Pse Braylen po ikte prej tij ashtu? Ndoshta ai nuk ishte lozonjar. Nuk e di. Nuk e di sepse ata e prenë një pjesë të videos”, u tha nëna gazetarëve.

Distrikti shkollor nuk e ka publikuar emrin e punonjësit të shkollës për momentin.

Familja e 3-vjeçarit kërkon arrestimin e tij dhe nxjerrjen para drejtësisë, por nuk kanë në plan të tërheqin Braylen nga shkolla.

“Ai i beson mësuesit të tij. Ai dëshiron të shkojë atje”, shpjegoi Lindsay. /Telegrafi/