Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se i kanë shkëputur kontratën operatorit ekonomik i cili ishte kontraktuar për renovimin e shkollës fillore “Gjergj Fishta”.
Rama në një postim në Facebook ka shkruar se shkëputja e kontratës ka ardhur si pasojë e papërgjegjshmërisë së operatorit ekonomik, i cili ka punuar me material jo të duhur.
“S’ka tolerime për mospunë! Sot i kemi shkëputur kontratën edhe një operatori ekonomik i cili është treguar i papërgjegjshëm. Ky operator nuk u është përmbajtur kushteve të kontratës. Bëhet fjalë për renovimin e Sh.F.M.U “Gjergj Fishta”, në të cilën operatori ekonomik ka punuar me material jo të duhur në veshjen e mureve”, ka shkruar Rama.
Rama ka kërkuar nga operatorët ekonomikë që të jenë të përgjegjshëm, bashkëpunues dhe të tregohen profesionistë në punë.
“Nuk do të tolerojmë asnjë kompani të papërgjegjshme. Do të vazhdojmë të sigurojmë cilësi e standard të ri të ndërtimit në rrugëtimin tonë të transformimit të Kryeqytetit”, u shpreh i pari i kryeqytetit. /Telegrafi/