Telegrafi

Punoi dy muaj në spital duke trajtuar pacientët me coronavirus – infermierja tërhiqet zvarrë nga policia, gjatë protestave në Francë

Arrestimi i dhunshëm i infermieres që kaloi disa muaj duke trajtuar pacientët me coronavirus, ka shkaktuar reagime të shumta në Francë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, policia ishte filmuar të martën, duke e tërhequr zvarrë infermieren Farida, 52 vjeçe, nga një turmë kaotike e punonjësve shëndetësorë, që bënin thirrje për paga dhe kushte më të mira.

I gjithë incidenti kishte ngjarë në qendrën e qytetit të Parisit.

“Jam infermiere dhe jam me astmë”, u thotë Farida policëve.

Punonjësja më pas u shoqërua për në stacionin policor, dhe u akuzua për “hedhje predhash drejt forcave të rendit”.

Lidhur me këtë rast vajza e Faridas, Imen Mellaz, shprehu mllefin e saj përmes një statusi në llogarinë e saj në Twitter.

“Ajo punoi për tre muaj në spital me nga 12-14 orë në ditë. Ishte me COVID-19”, tha Mellaz.

“Mamaja ime protestoi që puna e saj t’i shpërblehej dhe paga t’i rritej, ajo është me astmë”, u shpreh e bija e Faridas. /Telegrafi/