Site icon Telegrafi

Punimet më të mira në garën e Shoqatës së Ilustratorëve

Nga muralet e qytetit të çeliktë e deri te bletët, nga mbyllja te gjentrifikimi, nga posterët te librat … kandidatët për garën e sivjetme të Shoqatës së Ilustratorëve (Association of Illustrator’s – AOI) e kanë gjetur kudo frymëzimin. “The Guardian” ka bërë përzgjedhjen e veprave fituese në kategori të ndryshme, përzgjedhje të cilën Telegrafi e përcjell si më poshtë. Detajet tjera, si konkurrimet në listën e gjerë, në listën e ngushtë dhe fituesit – bashkë me kategoritë – gjenden në faqen e ueb-faqen e AOI-së si dhe në faqen e tyre WIA në Instagram.

Grace Park – “Mrekullitë e Rrugës së Mëndafshit: “Ilustrim për një shall luksoz të bazuar në rrugën tregtare të Rrugës së Mëndafshit që shtrihej mes Kinës dhe Perëndimit. Puna u krye me programin ‘Illustrator’ dhe u ngjyros në ‘PhotoShop’”.

Jason Chuang – “Ditët e kaluara në izolim”: “Nën ndikimin e koronavirusit e kam kaluar një pjesë goxha të madhe të kohës si i mbyllur, të cilën kohë e kam përdorur për të eksploruar mënyrat për t’i përçuar përvojat e mia përmes metaforave vizuale. Mora frymëzim nga ditari im. I zgjodha idetë më të fuqishme dhe i zhvillova ato në mënyrë digjitale”.

Iris de Luz – “Eksplorimi personal”: Iris u diplomua në dizajn grafik në Universitetin e Buenos Airesit. Është frymëzuar nga teksturat e natyrës të cilat i shndërron në universe të reja vizuale, duke përdorur fotografi të pjesëve të ndryshme të petaleve të luleve, të algave të detit dhe teksturave tjera natyrore. Ajo mendon për to sikur të ishin pjesë e një ekosistemi digjital ku secili element e ndërton një karakter të ri.

Xavier Segers – “Bakteret” tipografike: “I fotografova enët laboratorike për ta pasë një bazë për ilustrimin, pastaj i vizatova të gjitha shkronjat dhe i rikrijova ato në ‘Illustrator’ duke u munduar që të bëjë shkronja të rritura në mënyrë organike. Kjo seri ishte një nga ato eksperimentet e frymëzuara nga raportet e vazhdueshme të lajmeve për koronavirusin. Thash me vete, pse të mos ia japim virusit zërin e vet e ta dëgjojmë se çfarë ka për të thënë?”.

Justyna Green – “Të jetosh me Endometriozën”: “Kjo vepër u bë së pari në tabelë për ta ndërtuar një tregim që ishte universal, teksa na rrëfen një histori personale që ishte shtytëse dhe që jepte zgjidhje. Pasi u krijua rrëfimi, bëra ca skica lapsi me ngjyrat e shtuara në mënyrë digjitale. Linjat origjinale të lapsit janë ruajtur në pjesët e përfunduara. Në mënyrë digjitale kam punuar si në ‘Procreate’ ashtu edhe në ‘Photoshop’”.

Zamo Peza – “Seria e posterëve të Botës së Re”: “E krijova një seri prej pesë posterëve me mesazhe që lidheshin me epokën post-pandemike, por me një ndjenjë optimizmi ‘prodhim kuban’. Frymëzimi im vjen nga humori kuban dhe nga aftësia e tyre për ta rizbuluar veten”.

Amy Moss – “Nga Londra drejt jugut”: “Vepra është realizuar me laps duke u mbështetur në thjeshtësinë për të përcjellë si ngarkesën ashtu edhe qetësinë e ditës. Raportet miqësore me mjedisin janë shumë të rëndësishme për mua, kështu që puna me shtypin risografik në një studio lokale shtypi, është bërë në letër 100 për qind të ricikluar”.

Marie Doerfler – “More”: “Në vjeshtën e vitit 2020 e mora një udhëzim për të krijuar 12 ilustrime të njerëzve dhe kafshëve në lidhje me kompaninë e dizajnit të mobileve ‘More’ në Hamburg. Ilustrimet ishin paraparë për katalogun e vitit 2021 dhe mobilet duhej të përktheheshin në mënyrë të hareshme dhe imagjinative. Kërkesa ishte për ilustrime abstrakte, organike dhe të papërpunuara, me ngjyra të lehta”.

Ioana Bolchis – “Menaxheri i natës”: “Është ky një vizatim digjital i punuar me ‘Procreate’, bazuar në laps grafiti. E kam përdorur një përzierje të furçave dhe e kam synuar shtresimin që e krijon iluzionin e tymit që venitet”.

Sojung Kim-McCarthy – “Kartolinë e filmit ‘Minari’” “Kërkuan ta bëj një seri ilustrimesh të stilit të kartolinave për promovimin e ‘Minarit’, të një historie të një familje koreano-amerikane që përpiqej ta ndërtonte një jetë të re. Qëllimi shkurtimisht ishte ta bashkonte nostalgjinë amerikane me përvojën e emigrantëve aziatikë. Pikturat ikonike amerikane nga Andrew Wyeth dhe Norman Rockwell, u përdorën si referenca. Të gjitha ilustrimet janë bërë në mënyrë digjitale në ‘Procreate’”.

Kim Hyo-Eun – “Unë jam Metro”: “Nisa t’i vendosi duart, fytyrat me ngjyra të ndryshme dhe krahët që bëjnë gjeste. Gjërat jo gjithmonë janë të dukshme për syrin, por gjithsesi të rëndësishme”.

Katie Bullimore – “Kaini dhe Abeli”: “E bëra veprën duke ndjekur një plan personal, me qëllimin për t’i punuar imazhet nga teksti i caktuar. Si e krishterë gjithmonë e shihja Biblën si burim frymëzimi – veçanërisht me historitë më të errëta e më gotike nga Dhiata e Vjetër. Doja ta përcillja vizualisht atmosferën e historisë origjinale”.

Shabazz Larkin – “E di pse këndon zogu në kafaz”: “E gjeta teknikën duke studiuar procesit e punës së Norman Rockwellit. Por, në punën time imazhet janë më të errëta, më humoristike. Shpresoja se imazhi përfundimtar do ta ketë një fotografi të jetës, të dashurisë, të gëzimit dhe të aftësisë përtëritëse të të qenit i ri dhe i zi”.

Dani Choi – “Kabineti i kurioziteteve”: “Ky është një dizajn për një kartë menuje me 10 pjata, për një restorant me ushqim korean në Manhatan. Imazhet u frymëzuan nga Sip-jang-saengu; 10 ose më shumë simbole tradicionale koreane të jetëgjatësisë dhe të prosperitetit të jetës, në harmoni me natyrën. Kam hartuar kartat në mënyrën që secila të mund të rri vetëm si një imazh, e kur që të gjitha janë të bashkuara, në fund të vaktit ato e krijojnë një imazh të ri; një kabinet të mbushur me 12 simbole”.

Nick Hayes – “Libri i hyrjes pa leje”: “Kjo është një teknikë që e kam krijuar duke imituar linolegrafinë që përdor një furçë ngjyre dhe ngjyrën për t’i bërë të njëjtat shenja si brisku. E quaj atë lie-no ose li-not. Imazhi pastaj skanohet dhe invertohet në ‘PhotoShop’ për ta imituar procesin e shtypit. Kjo më lejon të punoj në detaje më të mëdha”.

Dide Tengiz – “Mai”: “I bëra këto ilustrime me një përzierje të ngjyrave indiane dhe akuarelit. Kam përdorur edhe lapsa me ngjyra për të shtuar shtresa. Një pjesë të ilustrimeve të mia i editoj pastaj në ‘PhotoShop’. Këto punime do të jenë pjesë e një libri të ilustruar për fëmijë”.

Jialei Sun – “Koleksioni”: “Duke e kaluar pothuajse një vit të tërë në shtëpi, zbulova se kaloja shumë më pak kohë në shoping. Në vend të kësaj, i bëra disa vepra për ta kënaqur dëshirën time për blerje. I kombinova gjërat që doja t’i blija dhe i vendosa në ilustrimet e mia”.

Fatinha Ramos – “Epidemia tjetër amerikane”: “Vizatoj detaje me laps në letër. Pastaj e lyej me akrilik. Pasi të skanohet punoj më tej me ‘PhotoShop’, pastaj i printoj punimet në letër normale dhe i lyej me akrilik e me lapsa me ngjyra. Gjithashtu përdor letër zmerile për teksturat. Pastaj e skanoj përsëri, punoj më tej me ‘PhotoShop’, e printoj përsëri dhe e përsëris këtë proces derisa të përfundojë ilustrimi”.

Dominic Bodden – “Portreti i Uestlejkut”: “Kjo seri ilustrimesh hulumton ndikimin e gjentrifikimit në lagjen Uestlejk në Los Anxhelos dhe mënyrat se si familjet dhe bizneset lokale po përshtaten me ndryshimet e shumta në komunitet. Theksi vihet në mënyrat se si tradita dhe inovacioni kryqëzohen kur njerëzit përpiqen të mbijetojnë”.

Maryam Khaleghiyazdi – “Hija e shndërruar”: “Është ky një animacion për mua, meqë lëviza nga vendi im në një vend tjetër. Sa herë që mërzitem dhe kam nevojë për familjen time, e shndërroj hijen time në një kuti që i mban anëtarët e familjes sime. E bëra animacionin tim me ‘Adobe Illustrator’ dhe e animova me ‘Adobe After Effects’ e me ‘Adobe Animate’”.

Tímea Zsófia Terenyei – “Rruga edukative interaktive”: “Projekti u krijua për pronën Salfold, një fermë që mbron natyrën e Parkut Kombëtar Balaton në Hungari. Shënimet i prezantojnë bagëtitë, barishtet, bletët, barinjtë dhe kafshët e tyre në mënyrë argëtuese dhe interaktive për mysafirët”.

Tabitha Wall – “Posterat e vetëdijes së qëndrueshmërinë”: “Këta posterë erdhën nga udhëzimet e një universiteti që ndërlidheshin me interesat dhe aktivizmin tim. Tregimet e biodiversitetit shpesh përfshijnë paralajmërime për shkatërrimin e ekosistemit për fëmijët që nuk kanë përgjegjësi sot dhe nuk kanë njohur kurrë një klimë të qëndrueshme. U përqendrova në marrëdhënien emocionale midis rrëfimit dhe dëshirës së prindërve për t’i mbrojtur ata, me shpresën se e nxit angazhimin në fushatën e drejtuar nga ‘Stop Ekocidit’”.

Victoria Nakada – “Proceset e Tokës”: “I krijova këto ilustrime për t’i paraqitur proceset shkencore në mënyrë më të stilizuar sesa të ishin informative. Proceset që ndodhin përreth nesh janë të natyrshme për Tokën, por ne përfitojmë jashtëzakonisht shumë prej tyre. Doja të tërhiqja vëmendjen me një ‘faleminderit’ të thjeshtë për Tokën dhe gjithashtu t’i njoftoja njerëzit për bukurinë e këtyre proceseve”.

Will Rea (Willustration) – “Punimet e Shefildit”: ‘Ky mural është përdorur për ta zbukuruar një cep të anashkaluar të Shefildit, duke tërhequr gjithashtu vizitorët në qytet dhe në qendrën tregtare të sheshit Orkard. U përcaktova t’i referohem trashëgimisë së madhe industriale të Shefildit krahas qëndrimit kolorit ‘unë mundem’ të njerëzve që jetojnë atje”. /Telegrafi/

Exit mobile version