Telegrafi

Punimet për rregullimin e sheshit në Obiliq, dëmtojnë banorët e bizneset

Punimet për rregullimin e sheshit në Komunën e Obiliqit po u shkaktojnë dëme banorëve që jetojnë në atë pjesë të qytetit.  Telashe po u sjellin edhe bizneseve që veprojnë në qendër. Ata thonë se pluhuri po dëmton edhe shëndetin e tyre. Ndërsa nga Komuna thonë se punimet parashihet të përfundojnë së shpejti.

Ka paguar qiranë dy muaj rresht për këtë lokal në Obiliq, por Naim Klinaku thotë se nuk ka mundur ta hapë atë deri para një jave.

Krejt kjo sipas tij, ka ardhur si pasojë e pluhurit që po shkaktojnë punimet që kanë filluar një vit më parë për rregullimin e sheshit të këtij qyteti.

“Prej dy muajsh paguaj qiranë por nuk kam mundur ta hap lokalin. Ka rreth një javë që hapa lokalin por është pluhur i madh. Sapo të hapet dera e lokalit futet pluhur i madh. Nuk e di sa do të zgjasë kjo procedurë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Naim Klinaku.

E dëme nga ky pluhur ka pësuar edhe Muharrem Dedinca, i cili banon aty ku po zhvillohen punimet. Sipas tij, ato janë të stërzgjatur, përcjell Telegrafi.

“Jemi dëmtuar shumë në biznese. Po dëmtohen edhe shtëpitë nga pluhuri i madh. Po i zhagitin punimet. Vijnë punojnë dy ditë, tri të tjera nuk punojnë”, shprehet banori tjetër Muharrem Dedinca.

Ndërsa kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka thënë se në zgjatjen e punimeve ka ndikuar prania e disa objekteve që ndodhen afër, e që duhet shpronësuar.

Gashi ka thënë se këto punime parashihen të përfundojnë në muajin shtator të vitit të ardhshëm./RTV Dukagjini/Telegrafi/