Në rrugën “Xhorxh Bush”, në Prishtinë janë duke u kryer disa punime në infrastrukturë në mënyrë që kjo të kthehet në një shesh për qytetarët si dhe një pjesë e saj në rrugë për autobusë urban si dhe për automjete të tjera emergjente.
Drejtori i Shërbimeve publike, Ilirik Musliu ka thënë për Telegrafin se rruga “Xhorxh Bush” do të jetë njëra nga sheshet e kryeqytetit dhe se hapja e saj do të bëhet nesër (e premte).
Sipas tij, pas përfundimit të punimeve në infrastrukturë një pjesë e rrugës do të jetë e hapur për trafikun urban, taksi dhe automjetet tjera emergjente.
“Rruga ‘Xhorxh Bush” do të jetë shesh, pas përfundimit të punimeve në infrastrukturë do të jetë e hapur për trafikun urban, taksitë, veturat emergjente (policia, zjarrfikësit, auto-ambulancat), me shpejtësi të kufizuar të qarkullimit. Nesër do të bëhet hapja e saj ”, ka thënë Musliu.
Telegrafi ju sjell përmes fotografive pamje gjatë punimeve në infrastrukturë të sheshit “Xhorxh Bush”, në Prishtinë.
Ndryshe, rruga “Xhorxh Bush”, në Prishtinë ka disa javë që është shndërruar në një shesh ku mund të lëviznin lirshëm qytetarët, kjo për shkak të festave të fund vitit. Por mbyllja totale e kësaj rruge ishte paralajmëruar vetëm deri më 8 janar, ndërsa pas kësaj date ishte thënë se kjo rrugë do të mbetet e mbyllur për automjetet private, por jo dhe për autobusët dhe për automjetet e emergjencave. /Telegrafi/