Telegrafi

Punimet në rrugën “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë pritet të përfundojnë brenda dhjetë ditësh (Foto)

Rruga “Hajrullah Zymi”, në Fushë Kosovë tash e disa ditë është “bllokuar” për qarkullim.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli, ka thënë për Telegrafin se për rrugën “Hajrullah Zymi”, është marrë vendim që të ketë asfalt të ri.

Megjithatë, sipas tij, instalimi i një rrjeti të ri të kanalizimit, ka ndikuar që të zgjasin ditët e punimeve dhe rruga të jetë e bllokuar.

“Plani dinamik i punimeve ka qenë 21 ditë. Duke marr parasysh kërkesat dhe ankesat e banorëve të objekteve banesore për rreth rrugës, e kemi parë të arsyeshme se në të njëjtën rrugë duhet të instalohet infrastruktura përkatëse nëntokësore (kanalizim fekal dhe atmosferik) pasi që gypi ekzistues është F 300 gjë që nuk përballon shërbimet e banoreve. Kështu jemi detyruar të ndajmë mjete shtesë edhe për instalimin e rrjetit të ri të kanalizimit F 600 ku edhe janë zgjatur ditët e planit dinamik”, ka thënë Topalli për Telegrafin.

Tutje Topalli theksoi se presin që në një afat sa më të shkurtër deri në 10 ditë, rruga “Hajrullah Zymi”, të jetë e përfunduar dhe e lejuar për shfrytëzim. /Telegrafi/