Site icon Telegrafi

Punimet në rrugën e Komanit, rritet interesi për të investuar në turizëm

Rikonstruksioni i rrugës së Komanit që lidh dy hidrocentrale në veri të Shqipërisë, po vijon me ritme të larta.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm pamjet nga punimet, si edhe disa opinione të qytetarëve për këtë investim.

“Mirëmëngjes dhe me disa opinione qytetarësh nga kantieri i Rrugës së Komanit, një aks i 31 km që lidh dy hidrocentralet duke rritur sigurinë e qarkullimit, si edhe duke i dhënë një hov të ri turizmit të kësaj tjetër zone të bekuar të Shqipërisë, ju uroj një javë të mbarë!”, shkruan Rama në Facebook.

Shkurtimi i kohës së transportit me ndërtimin e kësaj rruge do të ndihmojë shumë edhe shëndetësinë, thotë një banore.

“Të gjithë kanë përfituar prej kësaj rruge, por më shumë shëndetësia. Shkurtohet koha e transportit të të sëmurëve. Me hapjen e rrugës na keni fal jetë”, thotë një banore.

Një nga banorët e kthyer nga emigrimi vlerëson këtë investim, duke u shprehur interesin e rritur për të investuar.

“Më e rëndësishmja në këtë zonë është rruga. Jam kthyer prej emigrimit, kam hapur një biznes, por pengesa më e madhe është rruga. Që kur ka nis të bëhet rruga ka interes me ardh me punu, me investu. Çelësi i kësaj zone është rruga e Komanit. Po krijon edhe besimin, premtimi i dhënë po bëhet realitet, dy herë frymëzim, edhe po na bëhet rruga edhe premtimi i dhënë u bë realitet”, thotë një nga banorët e zonës që është kthyer nga jashtë vendit, për të investuar”.

Me interes për të investuar e shohin edhe të rinjtë. “Për ne të rinjtë që jemi prej komani na bën që të kthehemi te vendi ynë dhe të investojmë te vendi ynë, si edhe të ndihmojmë prindërit tanë”, thotë një vajzë e re.

 

Exit mobile version