Telegrafi

Punimet në autostradën Vërmicë – Merdare

Zëdhënësi i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Xhevdet Pozhari, thotë se kompania, e cila po kryen punimet e autostradës që nga fillimi, nuk ka hasur në ndonjë problem që do të mund të ngadalësonte rrjedhën e punimeve.

“Punimet janë duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë. Së pari punimet janë duke u kryer në pronat shoqërore, për të filluar më pas edhe në punimin e tokave private. Ndërsa, Ministria e Ekonomisë dhe Financave së bashku me komunat, janë duke bërë shpronësimin e pronave”, tha Pozhari.

Afati i paraparë për ndërtimin e autostradës Vërmicë – Merdare është brenda 36 muajve, që nga dita e fillimit të punimeve.

“Deri më tani, sipas informatave që ne i kemi në bashkëpunim gjithmonë edhe me kompaninë, numri i punëtorëve dhe kompanive të interesuara është jashtëzakonisht i madh. Për punësimin e tyre dhe për kontraktimin e punëve është kompania ‘Bechtel & Enka’, ajo e cila i përcakton kriteret dhe në bazë të atyre kritereve, bëhet punësimi i punëtorëve që është premtuar”, tha zëdhenësi Pozhari.

Sidoqoftë shqetësim për punësimin e punëtorëve në këtë projekt ka paraqitur Bashkimi i Sindikatave të Kosovës, që shprehen të pakënaqur me kushtet e punës që po iu ofrohen këtyre punëtorëve.

Hasan Abazi nga BSPK-ja thotë se sipas informatave që kanë, punëtorëve po iu ofrohen kushte të mjera. Po bëhen pagesa të ulëta, dita deri në 7 euro, pa ushqim, që është një vlerë shumë e vogël. Po diskriminohen punëtorët. /Rel/ Telegrafi/