Punëtori i Korporatës Energjetikës së Kosovës, Fehmi Salihu gjatë natës së mbrëmshme ka humbur jetën në vendin e tij të punës.
Këtë e ka bërë të ditur Sindikata e Punëtorëve të KEK-ut, përmes një njoftimi.
Punëtori është rrëzuar duke punuar nga një lartësi prej 30 metrash, ku edhe ka humbur jetën mbrëmë rreth orës 23:50.
“Të nderuar kolegë, punëtor të KEK-ut, më dhimbje të thellë ju njoftojmë se mbrëmë në ndërrimin e tretë, përkatësisht në ora 23 e 50 humbi jetën punëtori në TCA, Fehmi Salihu. I ndjeri humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës në punë”, thotë njoftimi i Sindikatës.
Gjithashtu, Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e punëtorit të KEK-ut, duke thënë se viktima gjërsa ka qenë duke punuar, aksidentalisht ka rënë nga lartësia me ç’rast ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ka ndërruar jetë.
Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësit përkatëse.
Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në obduksion.
I ndjeri Salihu, ishte i lindur me 10.9.1961 dhe ka qenë i punësuar në departamentin e prodhimit në Termocentralin Kosova A, si ndihmës i manipulantit të kaldajës./Telegrafi/