Partia Socialdemokrate ka mbajtur një aksion para Ministrisë së Ekonomisë.
PSD ka hedhur tym para ministrisë, në mbështetje të grevës së minatorëve në Trepçë, transmeton Telegrafi.
PSD thotë se sot është bërë dita e shtatë prej kur minatorët e Trepçës janë futur në grevë.
“Nga ajo ditë e deri më sot, e vetmja gjuhë e komunikimit që qeveria ka përdorur ndaj tyre ka qenë ajo e kërcënimit, e shantazhit dhe ndëshkimit. Kujtojmë se si pushteti para 1 viti tentoi t’i poshtëronte publikisht punëtorët e sektorit publik. Kujtojmë se si i shpalli të shitur e sabotatorë. Sesi i shantazhoi me ndalim të pagave e kërcënime të hapura për humbje të vendit të punës, skajshmërisht në shkelje me ligjet që zellshëm t’i citojnë për të ndaluar çfarëdolloj kryengritje ndaj këtij pushteti që qartazi është pozicionuar kundër punëtorëve”, thuhet në njoftim.
Tutje, PSD thotë se Qeveria nuk ka investuar në minierë të Trepçës.
“E njëjta gjë po ndodh edhe sot. Kryetarin e sindikatës e pushojnë nga puna pse punëtorët janë futur në grevë. Premtimet e Kurtit për Trepçën ishin megalomane; premtoi rivitalizim, 70 milionë euro investim për dy vite qeverisje dhe përmirësim të kushteve të punës. Tash, gati 3 vite qeverisje më vonë, investimi s’ka ndodhur, rivitalizimi s’është askund e kushtet e punës nuk kanë qenë asnjëherë më keq. Si për ironi, një qeveri që ia mbanë vetes për të majtë, dhe ka proklamuar veten si aleat i sindikatave u bë kundërshtari më i egër i tyre. Është më se e qartë që mendësia të cilën e përfaqëson Kurti është ajo e shantazhit për më tepër kontroll”.
PSD shton më tej se “nga kjo histori e fundit mësuam edhe se e vetmja strukturë e organizuar që nuk e ka nën kontroll ky pushtet janë sindikatat. Prandaj kjo është luftë frontale e hapur. Nuk ka ligj a nen që e ndal këtë qeveri, pos organizimit sindikal”./Telegrafi/