Edhe pse tash ka çarje “të mëdha” në qeverisjen e vendit, vërehet një ç’akordim zërash; kryetari-kryeministri-kryetari i parlamentit lidhur me formulën e “kurorëzimit”, duket se ai që duhej të lëshonte certifikatën nuk kishte dakordancë të mjaftueshme, cili është dhëndëri e cili nusja. Edhe pse edhe këtu kushtetuta ndihmon, si duket ka menduar mirë propozuesi kur ka lënë të hapur mundësinë e marrëveshjes nëse palët janë të poleve të njëjta. Fundja nuk është e domosdoshme tw deklarohesh çka je, është në pyetje privacia, prandaj veprohet në dysh, ashtu siç depërtojnë zërat e partive politike që përbëjnë koalicionin qeveritar, nganjëherë edhe në tresh, duke iu bashkangjitur këtyre edhe zëri i shterur i kryeparlamentarit. Mund të thuhet lirisht pa tepruar shumë se tash po pretendohet se cili nga ta është “alfa e omega” e shtetit, apo kështu po fuqizohet autoriteti i institucionit nga kanë burimin ata.
Siç ndodhë me çdo qeveri, fuqia e saj qëndron në mjetet buxhetore, u gjet zgjidhja mund të ndihmojë milioneri shqiptar, në rast të krizës buxhetore ai do ta blejë Kosovën. Sigurisht ky do të ishte skenari më i keq, por edhe i pamundshëm, ngase akoma nuk dihet se ç’po bëhet vërtetë me Kosovën: është hapur procesi gjyqësor kundër Hashim Rexhepit dhe vet BQK-së, është futur në procesin e privatizimit PTK-ja, është harruar apo lënë anash ndërtimi i TC Kosova e Re, si duket traseja rrugore-Autostrada Ibrahim Rugova do ta zbrazë buxhetin e projektuar, derisa Ministria e Energjetikës dhe e Minierave manipulon me mjete të mëdha buxhetore, duke i “sanuar” humbjet në KEK, për shkak të afarizmit joprofitabil, por edhe duke shtyrë – lënë anash projektin TC Kosova C – TC Kosova e Re, aspak transparent.
Shpesh ka ndodhur që kupolë e marifeteve financiare-ekonomike të jetë padroni i privatizmit kosovar, i pari nga vendorët, ish Ministri i Ekonomisë dhe Financave, z. Ahmet Shala, i cili qëndron në hije të vendimeve të rëndësishme të “seriozitetit” financiar të Kosovës, duke përfshirë procesin e spin off-it që dobësojë dukshëm të ardhmen e Kosovës. Nuk duhet ndonjë analizë e veçantë për të parë realitetin ekzistues, shikoni parametrat e papunësisë, pastaj mungesën e ligjit të punës, ligjin për sigurimin shëndetësorë të të punësuarve, ligjin për pensionistët, ligjin për sindikatat, jo ai i të drejtës për organizim sindikal që ka karakteristikat e shoqatave apo të një OJQ-je.
Rriten edhe zërat dyshues të shprehura nga opinioni i gjerë, shumë me arsye, ngase KW-i/MW-i i energjisë elektrike blihej dhe blihet dyfish, e herë-herë trefish më shtrenjtë sesa që ishte dhe është çmimi real në treg, prandaj shpesh opinioni habitet nga prononcimet që kanë firmën e ministrave të minierave dhe energjetikës (më rrallë) për të ardhmen energjetike të vendit. Nuk ka vlerësime reale të humbjeve nga dalja në trafo dhe shpërndarja në largpërçues, prandaj edhe jepen informata jo të sakta, vetëm për të mbuluar dyshimet e herëpashershme të shfaqura në shtypin ditor. Realisht detyrat e punës përballen me konflikte interesi në relacionet e brendshme përbrenda KEK-ut, por edhe të qeverisë, përpara më shpesh sesa tash, nuk dihej atëherë, por as tash ku duhet të adresohen saktësisht problemet. Lidhur me këtë nuk u zhvillua asnjëherë ndonjë debat serioz në parlament.
Si qëndrojnë relacionet përbrenda KEK-ut dhe sa kanë kontribuar ato në dobësimin financiar të këtij gjiganti ekonomik?
KEK-u në të kaluarën ka ndarë mjete të konsiderueshme financiare, përmes bursave dhe kredive për të avancuar politikën kadrovike, tash përdoret një gjuhë më e sofistikuar “resurse natyrore”, deri diku ia ka arritur qëllimit. Ishte një bazë e mjaftueshme për të ndërtuar të ardhmen energjetike të Kosovës, edhe solidariteti ndërmjet kuadrove shqiptarë ishte i kënaqshëm, por çka ndodhi pas luftës, turri i shumë inxhinierëve të cilët u aftësuan për të diktuar të ardhmen dështojë që në fillim, së pari me joshjen e ndërkombëtarëve, më vonë zejen e mësuar e shtrinë kudo… Disa nga inxhinierët që kishin pozita të privilegjuara para luftës, përmes ndërmjetësimeve të ndonjë komandanti lufte përforcuan pozitat, duke shndërruar KEK-un në pazar kusuritjeje. Disa nga ata, të cilët kishin ndërtuar rrjetën e merimangës, lëshuan KEK-un, për të fituar tenderët. Asgjë e re, pasuroheshin individët, ndërsa pësonin punëtorët, nuk bëzante sindikata, edhe pse këtu kishte konflikt interesi.
Edhe më keq, ka pasur raste, kur kuadrot në pozitë, “me marrëveshje” largoheshin nga puna, për t’u kthyer më vonë me kompensime të larta, dhe kush ishte përgjegjës për këtë fenomen-anomali, askush. Mirë po ata që largoheshin, ata punonin, krijonin, hapnin kompani private dhe fitonin tenderët në KEK, mjeshtërisht, por jo më duke u fshehur pas patriotizmit dhe atdhedashurisë, dalloheshin më herët me këtë virtyt, por pas rrjetit të ndërtuar të plaçkitjes përbrenda KEK-ut. E natyrshme dhe shumë njerëzore, edhe e pafajshme ndoshta, se ata duhet të ekzistonin, por si u bë që udhëheqësit e KEK-ut rivalë të deridjeshëm u bënë bashkëpunëtorë të sotëm (në perëndim kur të largohet ndonjë punëtorë nga puna nuk ka të drejtë as të hyrjes brenda objektit, ngase reagojnë forcat e sigurisë, por edhe policia), si u bë pra ata të fitojnë tenderë nga KEK-u, derisa rritej kontoja e kompanisë private; dhe gjyqtarët dhe avoketërit sigurisht të implikuar në marifete të tilla vendosin në favor të keqbërësve – “patriotë”.
Për t’u krijuar konfuziteti edhe më i madh në KEK u bënë riorganizime të papërfillshme që duke shënuar rënie produktiviteti…, nuk u shërbyen me përvojat në menaxhimin e termocentraleve në vendet fqinje, por nuk përfillën as mendimin e ekspertëve me përvojë të KEK-ut, por i vunë ata para aktit të kryer. Disa nga zyrtarët e djeshëm dhe të sotëm u emëruan si përfaqësues të kompanive konkurruese. U angazhuan zyrtarë të lart të pushtetit qendror, ende pa zhveshur mirë gëzofin qeveritar, ngase ai partiak ishte në trend, përfaqësonin interesat e kompanive të huaja si konkurruese, duke nëpërkëmbur interesin e vendorëve-qytetarëve të Kosovës. A nuk ishte ky konflikt interesi? Dhe a do të duhej që atëherë të reagonin institucionet përgjegjëse, apo nuk duhet të ketë debat në këtë temë edhe pse përfituesit e shumtë u paguan nga arka e buxhetit të konsoliduar të Kosovës; ndonjëri nga ta ishte në listën e pagave si përfaqësues i firmave të jashtme, nga të cilat u paguan majmë, jo se ishin ekspert në këtë lëmi, por ngase kishin të thurur bukur rrjetën e merimangës korruptive. Pa dashje, apo qëllimisht, çdo gjë që sillet përreth energjetikës dhe minierave, është me shumë të panjohura, nuk dihet saktësisht kush është “princi” i arit të zi. Është krijuar kështu lëmshi institucional, dhe në vend të afarizmit të suksesshëm, me KEK-un krijohen pengesa të shumta edhe me konotacion politik.
Për të pranuar opinioni-pa u trazuar, skemën e re të privatizimit me një pjesë të tij, duhej që KEK-u të dobësohej financiarisht, kështu pra u krijua varshmëria institucionale bord-menaxher-ministri-qeveri, duke e furnizuar KEK-un me infuzion artificial-derdhjen e mjeteve të reja për sanimin e gjendjes. KEK-u pra faktikisht humbi edhe pavarësinë afariste; pra aq shumë janë centralizuar marrëdhëniet afariste, saqë nuk mund të flitet për parametra real ekonomik, produktivitetin, rentabilitetin… Nuk u dëgjua fare zëri i punëtorëve, por as që u mbajtën ndonjëherë ndonjë tubim i punëtorëve, ngase atë të drejtë ua mori sindikata e pavarur, e cila ishte një zë i shterur, pa asnjë fuqi në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Kryesia e saj vetëm simulonte sindikatën, nuk ishte zëdhënëse e fuqishme e punëtorëve, tregtonte me menaxhmentin për të përfituar për vete, jo për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve.
Deformimi i paprecedent në skemën organizative që ka shkaktuar humbje të mëdha është tendenca për shpërbërje të mëtejme organizative dhe financiare të KEK-ut. Nuk është qartësuar asnjëherë, si ndodhi që kuadrot udhëheqëse që ka stipenduar, i ka trajnuar dhe i ka avancuar në karrierë KEK-u të shfrytëzojnë po ato pozita duke përfituar nga KEK-u fitime të mëdha përmes procesit të tenderimit. Nuk janë të pakta rastet që udhëheqës sindikatash janë mbështjellë me gëzofin korruptiv. Si ndodhi kjo dhe pse ndodhi kështu nuk ka ndonjë shpjegim, por kjo flet më së miri për ndërgjegjen e ultë të kuadrit udhëheqës, të cilët kanë bashkëjetuar me stafin udhëheqës serb atëherë, por bashkëjetojnë edhe tash me krimin e organizuar. Lidhjet janë të gjalla dhe shumë funksionale duke u manifestuar edhe anomali të ndryshme, punëtorët punojnë, ndërsa ish udhëheqësit e tyre i “vjedhin” ata fal “patriotizmit” të kulluar financiar.