Sindikatat në rajonin e Lombardisë kanë njoftuar për organizim të grevave të hënën, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve të tyre, pasi kanë thënë se dekreti qeveritar për mbyllje të bizneseve për shkak të coronavirusit ka lënë shumë hapësirë për interpretim.
Italia është përballur me shpërthimin më vdekjeprurës të pandemisë që përcillet me probleme në frymëmarrje.
Deri më tani në këtë shtet kanë vdekur të paktën 5,476 persona, shumica prej tyre në Lombardi, rajonin e pasur italian, në të cilën gjendet edhe kryeqyteti financiar, Milano.
Një dekret qeveritar, i nënshkruar të dielën, ka përcaktuar që të gjitha bizneset përveç atyre që janë të “domosdoshme” të mbyllen deri më 3 prill.
Në të është përfshirë një listë e gjatë e bizneseve, që janë përjashtuar nga kjo masë, pasi janë konsideruar jetike për të mbajtur gjallë zinxhirin e furnizimit në Itali, shkruan rel.
Gjatë ditës, disa kompani që përpunojnë metalin, më pas punëtorë të kompanive që merren me lëndë kimike, janë ankuar për sigurinë e tyre, pasi këta sektorë nuk lidhen me atë të shëndetësisë, andaj veprimtaria e tyre nuk është tejet e domosdoshme këto ditë.
Punëtorët e disa bankave po ashtu kanë kërcënuar me grevë, duke thënë se po detyrohen që të punojnë në kushte të pasigurta, pa maska, doreza dhe lëngje dezinfektuese.
Kryeministri italian, Giuseppe Conte ka njoftuar të shtunën vonë për masat e reja që kanë marrë autoritetet me qëllim të parandalimit të përhapjes së coronavirusit.
Në mesin e masave të reja përfshihet edhe kontrolli policor i italianëve që tentojnë të largohen nga qytetet e tyre nëse nuk kanë nevojë.