Telegrafi

Punëtoret kundër privatizimit të Stacioneve të Autobusëve

Zyrtarë të AKP-së kanë thënë për Telegrafi se me ligj i takon atyre që të gjitha Stacionet e Autobusëve duhet të privatizohen pasi janë asete shoqërore, por zëdhënësi, Ylli Kaloshi thotë se Bordi nuk ka marrë, ende vendim për privatizimin e tyre.

Sindikata në thirrjet që u ka bërë punëtorëve ka than se privatizimi i stacioneve është i pafavorshëm ekonomikisht. “KE e Degës ka vendos unanimisht që të kundërshtohet privatizimi i Stacioneve të Autobusëve sepse një akt i tillë i AKP-së është tejet jotransparent, ekonomikisht i pa arsyeshëm dhe shumë i dëmshëm për punëtorët, ku sipas propozimit për privatizim, asnjë punëtorë nuk do të transferohet në Kompaninë e re, andaj KE e Degës së SPKLK-së vendosi po ashtu që në të gjitha Stacionet të protestohet me datën 22 shtator dhe mos të ketë asnjë hyrje – dalje në Stacione për një orë”, thuhet në njoftim.

Çështja e privatizimit sipas Kaloshit, e Stacioneve të Autobusëve është diskutuar e dhe më herët në Bordin e AKP-së, por nuk është marrë as një vendim deri më tani. “Është diskutuar për të shkuar me privatizim pasi edhe Stacionet e Autobusëve janë sipas ligjit në pronësi shoqërore, por për ketë pritet të diskutohet gjatë javës në mbledhjen e bordit”, tha Kaloshi.

E sipas sindikatës stacionet që do të privatizohen do të jenë ai në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj, Kaçanik, Gjilan, Dragash dhe Rahovec. /Telegrafi/