Telegrafi

Punëtorët e ZAP-it paralajmërojnë grevë për shkeljet në këtë institucion

Sindikata e Punëtorëve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) po paralajmëron organizim të grevës për shkak të mosrealizimit të disa kërkesave të cilat ka kohë që ia kanë drejtuar menaxhmentit të këtij institucioni, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo zyrë, e cila po drejtohet qe gati shtatë muaj nga Artan Venhari, i cili është vetëzgjedhur jashtëligjshëm në pozitën e ushtruesit të detyrës së Auditorit të Përgjithshëm, po akuzohet se nuk po i përmbush obligimet ligjore dhe po bën shkelje të ligjit në të paktën gjashtë çështje që prekin punëtorët e këtij institucioni.

Një situatë e tillë thonë se po i përcjell që nga menaxhmenti i kaluar, kur në krye të institucionit ishte auditori i ndërkombëtar, Lars Lage Oloffson.

Enver Boqolli, kryetar i sindikatës, ka bërë të ditur se hera e fundit kur i janë drejtuar menaxhmentit zyrtarisht për përmbushjen urgjente të kërkesave ishte 2 marsi i këtij viti, duke mos arritur të marrin asnjë përgjigje lidhur me të.

Punëtorët e ZAP-it po kërkojnë që sindikata e tyre të jetë e përfshirë në grupin punues për projektligjin e ZAP-it si palë të interesit të drejtpërdrejtë. /Telegrafi/