Telegrafi

Punëtorët e Ujmanit nuk e ndalin grevën pa u përmbushur kërkesat

Punëtorët e hidrocentralit të Ujmanit as sot nuk e kanë ndërprerë grevën e filluar me 5 shkurt, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të tyre, ku si pasojë e kësaj ky hidrocentral nuk po prodhon energji elektrike.

Gazetari i Veriu.info ka qenë në Njësinë Punuese në Ujman në Zubin Potok, ku ka biseduar me përfaqësuesin e punëtorëve grevistë, Damljan Tomoviç, i cili ka treguar se si pasojë e grevës së punëtorëve, nuk po prodhohet energjia elektrike në hidrocentral.

“Ne me 5 shkurt e kemi ndalë prodhimin e energjisë elektrike, për shkak se kemi hyrë në grevë. Arsyeja pse kemi hyrë në grevë është, sepse Bordi i Ibër Lepencit po na injoron dhe nuk po i përmbushë kërkesat tona, ku ne po kërkojmë vetëm kushte elementare për punë. Ne as uniforma nuk kemi, ndërsa anëtarët e Bordit e as Kryeshefi asnjëherë nuk kanë qenë këtu e as që dinë ku i bie Ujmani. Ne fillimisht jemi diskriminuar, ku 22 punëtorë i kemi nënshkruar kontratat e Kosovës që na i ka ofruar drejtori teknik, Arbnor Prekazi, ku më pas shteti serb na ka paditur në gjykata për këtë, ndërsa punëtorët tjerë që nuk i kanë nënshkruar kontratat kanë vazhduar të punojnë dhe t’i marrin rrogat sikurse ne”, thotë përfaqësuesi i grevistëve, të cilët këmbëngulin në shkarkimin anëtarëve të mbetur në Bordin e Ibër Lepencit, Faton Gjyshinca e Bajram Mustafa, Kryeshefit Ekzekutiv Demë Abazi dhe drejtorit teknik të Ujmanit, Predrag Bozhoviçit.

Ai thotë se janë pikërisht këta persona, që menaxhmentin e Ibër Lepencit e kanë penguar t’i përmbushë kërkesat elementare të tyre. “Po ashtu jemi ndierë të fyer nga kryesuesi i Bordit Faton Gjyshinca, i cili na ka quajtur ‘rojtar’, sepse ne mbi të gjitha jemi njerëz dhe Bordi e gjithë Ibër Lepeci i merr rrogat prej nesh, sepse 80% e të hyrave të Ibër Lepencit krijohen nga hidrocentrali i Ujmanit. Qe 5 ditë sa jemi në grevë, askush nuk na ka vizituar”, thekson ai, duke treguar që as ish Kryeshefi i Ibër Lepencit, Hajdar Beqa, asnjëherë nuk i ka vizituar.

Grevistët kanë paralajmëruar radikalizmin e veprimeve të tyre, nëse Qeveria vazhdon të mos i përmbush kërkesat e tyre, të cilat i kanë dërguar në Zyrën e Kryeministrit Isa Mustafa dhe tek Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. Nëse vazhdon kjo situatë mund të vije deri të ndërprerja e ujit i cili furnizon KEK-un, që do të kishte për pasojë pamundësinë e KEK-ut për të prodhuar rrymë dhe rrjedhimisht edhe lënien e Kosovës në terr.

Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të “Ibër Lepencit”, Demë Abazi në një prononcim për Veriu.info për dallim nga e shtuna ku thoshte se ndërprerja është bërë për shkak të disa punimeve në rrjedhën e poshtme të lumit Ibër, sot është munduar të gjejë një tjetër arsyetim. Ai ka thënë se ndërprerja e prodhimit të rrymës është për shkak të mungesës së tensionit për kyçjen e sistemit në largpërçues, por që realiteti në terren e vërteton të kundërtën. Abazi është zotuar se sot do ta vizitoj hidrocentralin e Ujmanit.

Ndryshe, humbjet ditore të Ibër Lepencit nga mos prodhimi i energjisë elektrike në Ujmani janë shumë të mëdha. /Telegrafi/