Site icon Telegrafi

Punëtorët e Trepçës vazhdojnë grevën, kërkojnë pagën e muajit tetor

Foto: Ilustrim

Punëtorët e kombinatit Trepça që nga mbrëmë janë duke vazhduar grevën, me arsyetimin se ata nuk kanë marrë ende pagën e muajit tetor.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani, punëtorët do ta vazhdojnë grevën deri sa ta marrin pagën e mbetur.

Osmani për Telegrafin tha se, punëtorët e tre ndërrimeve kanë hyrë në grevë.

“Që nga dita e djeshme, përkatësisht nga mbrëmë, punëtorët e Trepçës janë duke mbajtur grevë, me arsyetimin se ende nuk e kanë marr pagën e mbetur të muajit tetor. Punëtorët janë këmbëngulës që do ta vazhdojnë të mos punojnë deri sa ta marrin pagën”, tha Osmani.

Lexo po ashtu 75 punëtorë të Trepçës mbyllen në minierë, kërkojnë pagën e muajit tetor

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në fillim të javës kishte marr vendim që Trepçës t’i ndahen 1.1 milion euro.

Ky vendim është marr pasi minatorët e minierës në Stantërg kishin ndërprerë punën në fillim të këtij muaji për shkak të mosmarrjes së pagave për muajin tetor.

Gjithashtu, disa herë punëtorët e kombinatit Trepça kanë pasur vonesa në marrjen e pagave. /Telegrafi/

Exit mobile version