Telegrafi

Punëtorët e PTK-së nuk pajtohen me Qeverinë

Qeveria ka vendosur që të privatizojë 75 për qind të aksioneve të PTK-së dhe pjesën tjetër ta mbajë në pronësi të vete, por problem si duket do t’i dalë me punëtorët.

Adriatik Berisha nga Njësia për privatizimin e PTK-së tha se punëtorët e PTK-së, i kanë të sigurta vendet e punës për katër vite. Sipas tij, Qeveria do të sigurojë që përmes këtij procesi transparent dhe konkurrues të arrihet çmimi më i lartë i mundshëm për shitjen e aksioneve të PTK-së.

“Qëndrimi ynë është që në vitet në vijim, pas privatizimit, nuk do të ketë ndryshime të mëdha në pagat e punëtorëve. Kompanisë blerëse si pjesë integrale e marrëveshjes së shit-blerjes do t’i ofrohet drafti i kontratës kolektive, në të cilën Komisioni Qeveritar i Privatizimit, në konsultim me përfaqësuesit e punëtorëve do të përcaktojë shkallën e deviacionit të mundshëm të pagave, i cili megjithatë nuk do të shkaktojë ndryshime substanciale në nivelin e pagave aktuale të PTK-së”, tha Berisha.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të PTK-së Milazim Alshiqi tha se ata si sindikatë janë duke dialoguar me Qeverinë për të siguruar vendet e punës për punëtorët për shtatë vite, pas privatizimit të kompanisë më profitabile në vend. “Jemi duke negociuar me Qeverinë, që pas privatizimit vendet e punës të jenë për shtatë vite, por sindikata do të ishte e kënaqur edhe me gjashtë vite”, tha Alshiqi për Telegraf.

Zëdhënësi i PTK-së, Menduh Abazi tha se edhe menaxhmenti ka diskutuar për çështjen e punëtorëve në mënyrë që ata t’i kenë të siguruara vendet e punës. “Menaxhmenti i PTK-së ka bërë më shumë sesa sindikata që punëtorëve tu sigurohen vendet e punës për katër vite. Për çështjen e pagave jemi duke diskutuar me MEF-in, por do të insistojmë që të jenë kështu siç janë tash”, tha zëdhënësi Abazi.

Muhamet Sadiku, ekspert i ekonomisë tha se është e rëndësishme që të mos vazhdohet me mbi punësimet në PTK-së, sepse me rastin e privatizimit do të jenë të afektuar.

“Marrëveshja mes Qeverisë, Sindikatës dhe blerësit për punëtorët e PTK-së duhet të bëhet dhe të realizohen të gjitha obligimet që dalin nga ajo marrëveshje”, tha Sadiku. /Telegrafi/