Punëtorët e Postës nesër do të mbajnë grevë një orëshe ku sipas njoftimit nga sindikata e këtyre punëtoreve gjatë kësaj kohe do të mbyllen të gjitha zyrat postare në Kosovë.
“Kjo grevë njëorëshe është vetëm hapi ynë i parë sindikal që do të pasohet edhe me veprime të tjera sindikale deri në realizimin e plotë të kërkesave të punëtorëve të PK Sh.A.”, thuhet në njoftimin e sindikatës, përcjell Telegrafi.
Sindikalistët thonë se aktiviteti nuk do të ndalet deri në realizimin e të gjitha kërkesave.
Pagesa e menjëhershëm e mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës, si obligim ligjor, për humbjet në Shërbimin Universal Postar.
Zbatimi i strategjisë së dërguar nga Posta e Kosovës në Qeveri, e cila garanton stabilitet afatgjatë financiar për ndërmarrjen tonë.
Të ndalohet favorizimi i operatorëve privatë për faktin se shërbimet e njëjta Qeveria mund t’i kryej me ndërmarrjen e vet, Postën e Kosovës, me kualitet më të lartë e me kosto më të ultë.
“Greva organizohet për shkak se punëtorët e Postës ende nuk i kanë marrë pagat si pasojë e mos realizimit të obligimeve të Qeverisë dhe institucioneve të tjera ndaj Postës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Greva do të mbahet prej orës 13:00 deri në orën 14:00. /Telegrafi/