Sindikata e Punëtorëve të Postës së Kosovës njofton se të hënën më 10 shtator 2018 të gjithë punëtorët do të hyjnë në grevë të përgjithshme e cila nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave.
Sipas një njoftimi, gjatë kësaj kohe në sportelet e Postës së Kosovës nuk do të ofrohet asnjë shërbim.
Po sipas njoftimit të Postës së Kosovës, greva nuk do të ndalet deri realizimin e të gjitha kërkesave të mëposhtme:
1.Realizimi i pagave për të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës.
2.Garantim me shkrim nga Menaxhmenti, Bordi dhe Qeveria e Kosovës që ekzekutimi i pagave në muajt e ardhshëm do të bëhet brenda afatit ligjor.
3.Qeveria e Kosovës të kryej urgjentisht obligimin ligjor ndaj Postës – rimbursimin e humbjeve në Shërbimin Universal Postar. Qeveria t’i mundësoj Postës të marrë shërbimet që i ka secili operator postar në rajon dhe më gjerë (pensionet dhe skemat e ndryshme sociale, shpërndarja e faturave për shërbime publike si dhe themelimi i Post-Bankës).
Në njoftim shtohet se greva do të pasohet edhe me veprime të tjera sindikale deri në realizimin e plotë të kërkesave të punëtorëve të PK Sh.A. /Telegrafi/