Telegrafi

Punëtorët e Postës me peticion kërkojnë shkarkimin e Bordit të Autoritetit të Konkurrencës

Me biçikleta dhe vetura, punëtorët e Postës së Kosovës kanë protestuar dhe kanë dorëzuar në Kuvend të Kosovës një peticion për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit të Konkurrencës.

Kryetari i Sindikatës së Postës Etrit Hoti ka thënë se e kanë dorëzuar peticionin në Kuvend për shkarkimin e anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës.

Sipas Hotit vendimi i këtij autoriteti për favorizimin e tri kompanive private ka dëmtuar postën në vlerë prej 500 mijë euro.

Naser Gashi nga Sindikata e Postës kërkoi nga kryeministri dhe deputetët që ta shfuqizojnë këtë vendim të paligjshëm të AKK, ngase sipas tij protesta do të vazhdojë edhe të hënën e ardhshme deri në shfuqizim të vendimit.

Në përkrahje të protestuesve ka dal edhe deputeti nga PDK Shaip Muja duke thënë se duhet të hetohet vendimi i AKK-së.

Protestuesit deri në orën 10 kanë qëndruar para Kuvendit për të marshuar pastaj drejt zyrave të AKK-së për të kërkuar shkarkimin e kryetarit të AKK-së Valon Prestreshi. /Telegrafi/