Site icon Telegrafi

Punëtorët e “Pastrimit” ndërprenë protestën, Komuna e Prishtinës thotë se pakënaqësitë e tyre janë ndaj kryeshefit

Komuna e Prishtinës përmes një reagimi publik ka sqaruar se punëtorët e kompanisë së pastrimit kanë hyrë në grevë, duke kërkuar largimin e kryeshefit të tyre, dhe kjo ka sjellë një kaos të madh në zonat që kjo kompani mbulon menaxhimin e mbeturinave.

Nga komuna njoftojnë se tashmë protesta është ndërprerë transmeton Telegrafi.

Në reagim thuhet se “kjo situatë ka lënë disa pjesë të qytetit pa menaxhim të mbeturinave, duke krijuar një situatë të rëndë që kërcënon shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve”.

Gjithashtu, thuhet se kryeqyteti ka angazhuar operatorë privat për të marrë përsipër menaxhimin e mbeturinave në disa pjesë të kryeqytetit.

“Për shkak të kapaciteteve të kufizuara dhe vështirësive të vazhdueshme brenda kësaj kompanie, në maj të këtij viti, ishim të detyruar të angazhojmë operatorë privatë për të marrë përsipër menaxhimin e mbeturinave në disa pjesë të kryeqytetit, për të siguruar qytetarët që të marrin shërbimet e merituara. Këta operatorë po vazhdojnë të punojnë me përkushtim dhe efikasitet në zonat ku janë përgjegjës, duke siguruar që punët të kryhen siç duhet”, theksohet në reagim.

Tutje, thuhet se “dëshirojmë të sqarojmë për qytetarët se ky bojkot i nisur dje dhe kaosi i krijuar janë pasojë e pakënaqësive të punonjësve të kompanisë private ndaj kryeshefit të tyre”.

“Protesta sot është ndërprerë, por sigurisht se do të duhet disa ditë që të sanohet dëmi nga ky bojkot. Ju sigurojmë që kjo situatë është një pasqyrë e thellë e problemeve të brendshme të kompanisë dhe jo e mungesës së angazhimit dhe përkushtimit tonë për qytetin”./Telegrafi/

Exit mobile version