Site icon Telegrafi

Punëtorët e një fabrike në Dragash protestojnë për paga

Punëtorët e fabrikës Rematex, në Dragash në mëngjesin e së martës kanë protestuar para vendit ku punojnë. Shkak i protestës së mbi 50 punëtorëve, ka qenë mosdhënia e pagave për dy muajt e fundit, njofton Klan Kosova.

Problem tjetër për punëtorët e kësaj fabrike, është edhe skadimi i kontratave në muajin dhjetor dhe mos-vazhdimi i tyre në muajin janar.

Meqë para objektit të fabrikës nuk doli t’i takojë askush, ata kanë protestuar edhe para Komunës së Dragashit. Më pas punëtorët protestues janë takuar me kryetarin e komunës, Halil Januzin, i cili ka thënë se tashmë është i njoftuar me hallet që kanë këta punëtorë dhe se do të mundohet që të ushtrojë ndikimin e tij ndaj udhëheqësve të fabrikës në mënyrë që t’iu ndahen pagat sa më shpejt.

Klan Kosova ka kontaktuar përmes telefonit me drejtorin gjeneral të kësaj fabrike, Besim Minkara i cili është me prejardhje turke, dhe ai ka thënë se gjysma e pagës këtyre punëtorëve do t’iu paguhet gjatë javës së ardhshme, ndërsa pjesa tjetër e pagave, do t’iu paguhet atyre gjatë muajit shkurt.

Rematex është kompani me seli në Dragash, që merret me prodhimin e penjve të leshit. /Telegrafi/

Exit mobile version