Sindikata e Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës ka njoftuar se punëtorët e Lotarisë së Kosovës, do të protestojnë të hënën para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesë të përmbushjes së pagave për punëtorët e Lotarisë së Kosovës nga ana e Qeverisë si aksionare e Lotarisë së Kosovës.
Sindikata nëpërmjet një njoftimi, paralajmëron se do të vazhdohet me protesta gjatë ditëve të punës deri në përmbushjen e kërkesës së punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka premtuar Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës se do të gjejë një zgjidhje për punëtorët tanë mirëpo një premtim i tillë ende nuk është përmbushur. Punëtorët tanë momentalisht gjenden në një situatë të mjerueshme përderisa u bë gati një vit që s’kanë pranuar pagë, e sidomos në përballjen me luftimin e Pandemisë Covid-19 që edhe më tepër e ka rënduar gjendjen e tyre”, thuhet në njoftim.
Sindikata e Lotarisë së Kosovës fton të gjitha mediat të jenë të pranishme, gjithashtu i bën thirrje publike Qeverisë së Kosovës që të përmbush premtimin dhe obligimin që e ka ndaj punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.
Protesta nis në orën 11:00.