Telegrafi

Punëtoret e Lamkosit kërcënojnë me radikalizim të protestave

 Të pakënaqur me procesin e privatizimit dhe të demoralizuar me heshtjen e autoriteteve vendore për zgjidhjen e fatit të tyre, punëtorët e sindikatës së gjigantit të dikurshëm metalurgjik “Llamkos” kanë protestuar sot para ndërtesës së AKP-së në Prishtinë.

Protestat sipas punëtorëve të kompanisë në fjalë, ka mbetur alternativa e vetme  për të kërkuar të drejtat e tyre. “Që 17 muaj bredhim poshtë e lartë për të kërkuar pagë, shumë herë kemi protestuar por nuk ka pasur asgjë konkrete”, ka pohuar Miran Halili, anëtar i Këshillit Protestues.

Ndërsa, Hasan Abazi, kryetari i degës së metalistëve të Kosovës, paralajmëroi se, nëse edhe këtë herë kërkesat e tyre do të hasin në vesh të shurdhër, protestat e radhës  do të radikalizohen. Nga ana tjetër, Tahir Shaqiri, kryetar i sindikatës së Llamkos-it, bëri të ditur se, ka kërkuar nga AKP-ja që të vendosë drejt për fatin e kësaj ndërmarrje. Kërkesa e sindikalistëve të Llamkos-it ishin, kthimi i të gjithë punëtorëve në vendet e tyre të punës dhe funksionalizimi i sindikatës.

“Sindikata jonë ka 470 punëtorë. Ne kërkojmë që të gjithëve tu sigurohet pagë, por pa kërkuar lëmoshë” ka thënë  Shaqiri, duke  shtuar gjithashtu se, AKP nuk duhet të pengojë investitorët dhe operatorët e ndryshëm që janë të interesuar. Sindikalistët kërkuan përfundimisht që  të diskutohet dhe zgjidhet çështja e sindikatës Llamkos-it, pasi që sipas tyre ka 2 vite që nuk diskutohet rreth saj. Për gjithë këto probleme në këtë ndërmarrje, punëtoret  kanë fajësuar Agjencinë Kosovarë të Privatizimit.

Kompania “Kremikovtzi” nga Bullgaria  në vitin 2005 e kishte privatizuar Llamkos-in për 4.1 milionë euro. Dy vite me vonë kjo kompani ka shpallur falimentimin e fabrikës dhe nga ajo kohë kjo fabrikë ka mbetur në duar të punëtorëve. AKP-ja tani është në proces të kthimit të aksioneve të të kësaj ndërmarrje. Punëtoret e kësaj fabrike, kohë me parë kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës 1  milion euro për të vazhduar punën në këtë fabrikë./telegrafi/