Rreth 2 mijë e 200 punëtorë të KEDS-it, sa janë në tërë Kosovën, nesër pritet të futen në grevë njëditore, prej orës 8.30 deri 16.30, ndërsa protesta po në këtë ditë, do të mbahet prej orës 13.00 në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë.
Punëtorët e KEDS-it kanë kërkesa për ngritjen e pagave nga 150 euro në pagën bazë dhe zbatimi i kontratës kolektive.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Pavarura “ElektroKosova” Hysni Gashi, në një konferencë për media tha se situata në KEDS është mjaft e rëndë, pasi që nga privatizimi i Distribucionit të KEK-ut, është duke u bërë një nëpërkëmbje e dinjitetit të punëtorëve sa që ka arritur shkallën e pa durueshmërisë te punëtorët.
Ai shtoi se me kërkesat e punëtorëve, në javët e para të muajt gusht ku u mbajtën grevat një orësh në çdo distrikt – ishin paralajmëruese, që nëse nuk ndryshojnë gjërat dhe nëse nuk plotësohen kërkesat e punëtorëve, do të jenë të detyruar të shkojmë në greva të përgjithshme.
“Duke parë situatën e rëndë, menaxhmenti i KEDS-it nuk ka reflektuar ende. Nga ZRRE-ja jemi në fazën e planifikimit për periudhën 2018-2022 dhe situata është mjaft e rëndë. Kryesia e Sindikatës, Elektro Kosova, vendosi të zgjedh Këshillin Grevist dhe fillohet me greva… Kemi vendos nesër ta mbajmë një grevë të përgjithshme, që nga ora 8.30 deri në orën 16.30 punëtorët grevist të KEDS-it nuk do të kryejnë detyra të punës, nuk do të jenë në punë. Të gjitha distriktet do të defilojnë në Prishtinë, në orën 11.00 do të mblidhemi të Elektro Kosova”, ka thënë Gashi, raporton KosovaPress.
Ai tha se pas kësaj greve dhe proteste nëse nuk do të ketë reflektim nga menaxhmenti dhe Bordi i KEDS, do të ketë kaos energjetik.
“Kemi ardhur të organizojmë një formë presioni, me një grevë një ditësh, qysh është dita e nesërme, në shenj paralajmëruese se, në qoftë se nuk ka mirëkuptim me anë të dialogut dhe nuk ka zbatim të kërkesave, do të shkojmë drejt grevës së përgjithshme. E greva e përgjithshme ose gjenerale nënkupton edhe kaos energjetik në Kosovë. Sepse jemi faktor I fundit, ose kompania e fundit që e shpërndajmë energjinë elektrike të prodhuar dhe të importuar te konsumatori”, ka thënë Pajaziti.
Ndryshe, BSPK përkrah kërkesat e kësaj sindikate dhe kërkon nga KEDS që t’i përmbushë kërkesat e punëtorëve. /Telegrafi/