Punonjësit e KEDS dhe KESCO sot kanë dhuruar gjak sipas traditës së përvitshme, duke u dalë në ndihmë të gjithë pacientëve që kanë nevojë emergjente për të. Meqenëse ky lëng trupor nuk mund të prodhohet në industri farmaceutike, i vetmi burim i tij është dhurimi në mënyrë vullnetare.
Grupet e ndryshme të gjakut dhe numri i madh i dhuruesve në KEDS dhe KESCO, po ndihmojnë sadopak Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut në Prishtinë, për të grumbulluar sasi të mjaftueshme të gjakut për një periudhë.
Njëri nga dhuruesit e gjakut sot, ishte edhe Drejtori Ekzekutiv i KEDS-it, Alpin Dogan, i cili tha se kompania që drejton do të jetë gjithmonë derë e hapur për aktivitete të tilla vullnetare.
“Jam i lumtur që ky aktivitet i përvitshëm, duke mos llogaritur dy vitet e fundit që për shkak të pandemisë është dashur të anulohet, po merr vazhdimisht vëmendjen nga kolegët tanë të kompanisë. Vullnetarizmi në secilën formë është gjithherë i mirë për komunitetin, por ky për dhurimin e gjakut mbetet më i veçanti, sepse po ndihmojmë dikë në nevojë, e për më tepër po shpëtojmë jetë”, tha ai.
Ndërkaq, Islam Gashi, zjarrfikës në KEDS, sot dhuroi gjak për herë të 45-të. Ai tha se për 23 vjet me radhë është dhurues i rregullt i gjakut.
“Sot është hera ime e 45-të që dhuroj gjak vullnetarisht, sepse unë dua të shpëtoj jetë dhe t’u ndihmoj atyre që kanë nevojë. Më vjen shumë mirë që edhe interesimi i kolegëve është shumë i madh që nga iniciativa e parë e KEDS-it, për ta realizuar këtë aktivitet”, u shpreh ai.
E Ganimete Avdiu, zyrtare për marketing në Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut në Prishtinë, u shpreh falënderuese për punëtorët e KEDS&KESCO, që iu bashkuan aksionit të sotëm.
“Ashtu siç kemi organizuar çdo vit në KEDS&KESCO, edhe sot jemi bashkë me vullnetarët për dhurim të gjakut për t’ju dalë në ndihmë të gjithë pacientëve që kanë nevojë. Faleminderit të gjithë punonjësve të KEDS&KESCO, që gjithmonë përgjigjen pozitivisht në aksione të tilla. Gjithashtu, ftoj të gjithë dhuruesit vullnetmirë që gëzojnë shëndet të plotë, të na bashkohen në të gjitha qendrat për dhurimin e gjakut”, pohoi ajo.
KEDS thotë se vazhdimisht është afër komunitetit me aktivitete të ndryshme, prandaj “sensibilizimi ynë me ata që kanë nevojë për gjak, do të vazhdojë edhe në të ardhmen”. /Telegrafi/