Telegrafi

Punëtorët e ish-Rilindjes duan 20 përqindëshin (Foto)

Edhe 15 vjet pas mbylljes së gazetës “Rilindja”, punëtorët e saj vazhdojnë t’i kërkojnë të drejtat e tyre. Ata po kërkojnë që të kthehen në punë ose të bëhet kompensimi i 20 për qindëshit, siç e parasheh ligji. Për t’i shprehur këto kërkesa, ish- punëtorët e Rilindjes protestuan sot para Pallatit të Mediave, ku edhe i shpalosën kërkesat e tyre, derisa më pas vazhduan edhe para Agjencionit Kosovar i Privatizimit).

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të “Rilindjes” , Besim Kajtazi, tha se kanë dalë në këtë protestë që të protestojnë para Qeverisë, pasi që ajo i ka lënë këta punëtorë në gjendje shumë të vështirë sociale.

“Ne sot kemi dal të marrim pjesë në protestën e punonjësve të gazetës Rilindja, gazetë me traditë 70 vjeçare, e cila për fat të keq me një vendim arbitrar të UNMIK-ut në vitin 2000 u mbyll dhe u kryesua nga pallati i Rilindjes. Unë sot e kam ftuar këtë protestë në emër të sindikatës në emër të punëtorëve që të protestojnë para qeverisë, e cila Rilindjen dhe punëtorët e saj i ka lënë në një gjendje shumë të vështirë sociale. Punëtorët kërkojnë që të kompensohet 20 përqindëshi dhe pasurinë që e kemi pasur si gazetë si Rilindje si këtu si në Tiranë ajo t’iu ndahet punëtorëve aq sa ju takon me ligj”, tha Kajtazi.

Ai shtoi se deri më tani kërkesat e tyre nuk janë plotësuar, prandaj edhe janë detyruar që të thërrasin në protestë.

Edhe Kadrije Matarova- Islami, punëtore e shtypshkronjës, tha se punëtorët nuk marrin asnjë kompensim për punën e tyre. Ajo kërkoi një zgjidhje për këtë problem, pasi që punëtorët kanë mbetur në rrugë.

“Para një viti është ardhur AKP-ja dhe ka thënë në likuidim është. Ne vetëm makinat që i kemi pasur më të rejat kemi mundur t’i mbijetojmë punëtorët. 170 punëtorë jemi dhe pa kurrfarë kompensimi dhe që një vit më nuk kemi asgjë hiç, tash po presim. Ata qeveritarët nuk po donë të dëgjojnë, punëtorët janë mbet rrugëve, secili është në gjendje më të rëndë. I kanë bërë mbi 60 vjet as pension as kurrfarë sociali. Se shohin të arsyeshme… As masat e dhunshme nuk na kanë bërë çfarë na kanë bërë qeveritarët tanë. AKP-ja qiranë e merr, e na me atë qira kemi mbijetuar”, tha Matarova Islami.

Ndërsa Naxhije Nuhiu, po ashtu punëtorë e gazetës “Rilindja”, kritikoi drejtorin e gazetës dhe AKP-në, që nuk i ka mbrojtur punëtorët.

“Prej 69-tës punoj në libërlidhje për shkollë të mesme, 45 vjet. Ka ardh dita e fundit na kanë qit prej pune pa asnjë cent, pa kurrfarë kontributi, s’di as vet çfarë respekti kanë pasur, gjithë ajo gjeneratë m as neve që kanë ardhur. Drejtori jonë këtu i ka fajet, AKP-ja i ka fajet se nuk na kanë mbrojtur , na kanë qit pa mëshirën e Zotit. Sot para pensionit me dal pa asnjë cent qe një vit kjo është mizerie. Ne nuk po dimë edhe kujt me iu ankuar më”, tha Nuhiu.

Sipas Nuhiut, Qeveria as nuk i ka marr parasysh këto probleme që kanë sot punonjësit e ish-Rilindjes. Gjysma e objektit të shtypshkronjës është me qira, por asgjë nga ajo qira nuk shkon për punëtorët.

Punonjësit e ish- Rilindjes do të vazhdojnë me protesta deri në përmbushjen e kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë. /Telegrafi/