Telegrafi

Punëtoret e Gërmisë e duan qiranë e objekteve

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Gërmisë, Riza Smajli, tha se përveç qeras ata kërkojnë edhe nga AKP-ja pagesën e 20 përqindëshit pasi sipas tij objektet janë privatizuar në mënyre jo të rregullt.

“Kërkojmë qiranë e pesë ministrive që veprojnë në objektin tonë, “Shtëpinë e Mallrave”, qiranë e 62 shitoreve tona që nuk është paguar me vite, pagesën e 33 pagave që iu ka mbetur borxh AKM-ja, që nga viti 2007, të bëhet privatizimin në mënyrë korrekte e jo si deri më tani”, tha ai.

Ndërsa, Agim Gashi, nënkryetar i kësaj sindikate ka thënë se që nga viti 2004 kur është marrë vendimi për të udhëhequr AKM-ja, me këto ndërmarrje ne nuk jemi paguar as edhe një cent. “E kemi paditur AKP-në, që nuk janë duke paguar qira këto ndërmarrje, ndërsa ata na kanë thënë që ta dërgojmë lëndën në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, ata kanë kërkuar që të marrim një avokat, e kemi marrë avokatin dhe pas kësaj ata kanë kërkuar që të pezullohet lënda me arsyetimin se nuk kemi para për të paguar kamatën”. Ai thotë se me 19 korrik të këtij viti, kanë bërë një ankesë në dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme dhe ende jemi në pritje të një vendimi.

Në këtë protestë kanë marrë pjesë edhe organizata, “Çohu” dhe lëvizja “Vetëvendosje”. Ndërmarrja Gërmia ka 473 punëtor shqiptarë, pa përfshirë ata serb ose të nacionaliteteve tjera. /Telegrafi/