Site icon Telegrafi

Punëtorët e ATK-së në grevë, ultimatum qeverisë

Punëtorët e Administratës Tatimore të Kosovës kanë mbajtur të enjten grevë njëorëshe, duke pezulluar shërbimet në të gjitha regjionet. Ata kanë paralajmëruar që në rast se ekzekutivi nuk i merr parasysh kërkesat e tyre, do të hyjnë në grevë të përgjithshme.

Arlinda Bajraj, sekretare e sindikatës, tha se i kanë dhënë afat qeverisë që të reflektojë ndaj kërkesave të tyre në një afat kohor prej 7-ditësh, përndryshe greva e përgjithshme është e pashmangshme.

Në një konferencë për media të mbajtur pas përfundimit të grevës, Bajraj tha se kanë ardhur deri në këtë pikë për shkak të neglizhencës që iu është bërë kërkesave të tyre, e që siç thotë ajo, janë legjitime.

“Ka dy muaj që kemi bërë kërkesë për takim dhe nuk jemi ftuar, presim që gjatë kësaj jave të ketë një reflektim dhe të na ftojnë në takim që t’i diskutojmë kërkesat tona dhe të arrijmë në një marrëveshje që të realizohen këto kërkesa që janë të logjikshme dhe ligjore. Dhe, nëse deri më datë 27 nuk kemi një reagim ose një ftesë për takim në realizim të këtyre kërkesave, atëherë i gjithë stafi i ATK-së do të hyjnë në grevë të përgjithshme, duke i përfshirë të gjitha regjionet me orar të plotë”, tha ajo.

Bajraj shpalosi edhe kërkesat e punëtorëve të ATK-së, ku si më të rëndësishmen renditi ndërrimin e statusit të kësaj agjencie.

“Kërkesë kryesore e stafit apo ATK-së është ndërrimi i statusit të ATK-së, e cila aktualisht është një agjenci ekzekutive dhe kërkojmë që të propozohet në Kuvend dhe të kalohet në agjenci të pavarur. Kërkesë tjetër është krijimi i kushteve të punës për ATK, që besoj që në incizimet që ju i bëtë shihet që janë kushte të mjerueshme që aspak nuk përkojnë me kushtet në të cilat duhet të punojë një zyrtar shtetëror, përfshirë ajrin, dritaret që nuk kanë, hapësirë shumë e ngushtë, ngulfatje nga dosjet etj. Kërkesë tjetër është përfshirja në pakon fiskale… Një pakënaqësi dhe reagim joni ka qenë edhe çështja e mbushjeve telefonike”, u shpreh ajo, raporton KP.

Sipas ATK-së, greva njëorëshe e mbajtur sot ishte paralajmërim për grevën e përgjithshme në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

Exit mobile version