Site icon Telegrafi

Punëtorët e 16 ndërmarrjeve përfitojnë 2.5 milionë euro

Pas kalimit të afateve ligjore për ankesa në AKP dhe në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës, AKP-ja, në përputhje me procedurat ligjore, ka arritur që të bëjë kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm të listave të punëtorëve që përfitojnë nga shuma 20 përqindëshit për 16 ndërmarrjet shoqërore Vinex Viti”; “Dubrava Istog”; “1 Maj Rahovec”; “Koritnik Prizren’; “Kosovashped”; “NT Deçani Deçan”; “Lav. Blegtori”; Metal Holding”; “Ndërtimtari Pr”; “Letnica Gjilan”; “Sham Drita Gjilan”; “KB Liria Bardhosh”; “Klinapremix”; NBI Rahoveci”; “Erozioni Pejë” dhe për ndërmarrjen shoqërore “Fabrika e Ushqimit të Kafshëve”.

AKP nëpërmjet një komunikatë për media ka njoftuar se shpërndarja e kësaj shume dëshmon përkushtimin e Bordit të Drejtorëve dhe menaxhmentit të AKP-së, për të përshpejtuar këtë proces dhe për të përfunduar listat e mbetura të pashpërndara nga e periudha e kaluar, në përputhje me vendimin e Bordit të Drejtorëve për shpërndarje të pjesshme të miratuar në fillim të vitit 2010.

AKP deri më tani ka bërë shpërndarjen e mjeteve 20 për qind që u takojnë punëtorëve nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në shumën 42 milionë euro, prej të cilave 15.6 milionë euro janë shpërndarë në kohën e ish-AKM-së, kurse mbi 26 milionë euro janë shpërndarë nga ana e AKP-së, e cila u themelua në muajin gusht të vitit 2008. Vetëm gjatë këtij gjysmë viti 2011 AKP ka arritur që të shpërndajë shumën 8.444.182 euro. /Telegrafi/

Exit mobile version