Çështja e punësimeve familjare ishte pjesë e debatit të sotëm parlamentar në të cilin deputetët adresuan akuza e kundërakuza të shumta.
E tëra nisi kur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mefail Bajqinovci, ka thënë se kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti nuk duhet të quhet kryeministër ‘koti’, por asistent ekzekutiv i presidentit Hashim Thaçi.
Ai ka kritikuar edhe deputeten e LDK-së Besa Gaxheri që ka folur për njerëzit që kanë bërë keqpërdorime.
“Kur po e dëgjoj deputeten Gaxherri duke folur për njerëz që kanë keqpërdor këtu, e na mbajnë fjalim. Së pari duhet të fillohet me terminalet doganore kur kanë votuar Hashim Thaçin për president, menjëherë kur ia ka dhënë terminalet në dorë brenda javës. Para se të flitet për keqpërdoruesit e tjerë, unë nuk pajtohem me kolegët e grupit parlamentar të LVV-së. Unë e kisha quajtur Avdullah Hotin asistent ekzekutiv të Hashim Thaçin, as koti jo, ma zi se koti. Pra, asistent ekzekutiv veç ia mban çantën, kurrgjë tjetër…Kërkesa për ekzaminim, marrja juaj e grave të dhunuara gjatë luftës, skandali me foton e rreme ju e mbani në mend Flora Brovina kur ka dalë… Kërcënimi i ambasadores në Gjermani dhe televizionit nga Fatmire Musliu”, tha ai.
Deputetja e LDK-së, Besa Gaxheri, iu ka kundërpërgjigjur deputetit të VV-së, duke thënë se askush nuk ka argument për ndonjë keqpërdorim që ajo ka bërë.
“Djali u punësua vet. Ti dëshiron të ndalësh djalin të punësohet! Ju, jeni të mjerë, ju jeni mjeran . Ju merreni gjithmonë me familjet e secilit, ky është argumenti juaj. Linçimet, sulmet, gënjeshtrat janë arma juaj, pasi që nuk merreni me realitetin. Unë jap përgjegjësi për emrin tim, e ti me djalin tim shko merru në gjykatë nëse ke diçka kundër, kjo është jeta që duhet me funksionuar. Është e ultë të merrem unë me familjen tënde. A ke familje? Ti e di si e ke familje, po unë nuk merrem me familjen tënde dhe as t’i nuk ke të drejt të merresh me familjen time, as me ma ndërruar mbiemrin mua, me më quajt ‘koti’, as që kam spekuluar apo që kam keqpërdor sikur eksponent që i ke në partinë tënde, merru me ata, ata kanë padi, ata kanë aktakuzë në prokurori. Unë nuk kam dhe kurrë s’kam pas“, tha Gaxheri.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani luti deputetët që nuk kanë nevojë të merren me familjen e askujt dhe nëse kanë argumente, janë institucionet ku ata mund të drejtohen.
Pas kësaj, ka reaguar deputeti i LVV-së Mefail Bajqinovci, duke thënë se gjysma e deputetëve i kanë të punësuar familjarët e tyre.
“Nuk është punë familjeje, se kur të jesh zyrtare e lartë në Agjencinë e Aviacionit nuk mundemi të themi se po merremi me familje. Pse nuk po mundem unë të punësoj askënd. Gjysma nga ju këtu kanë familjarë nëpër puna. I keni shti krejt me të njohshëm. Besë, edhe ti goxha shumë ke vallëzuar herë LDD herë LDK, kështu që mos na mbajë ti këtu”, tha ai.
Ndaj deputetit të LVV-së ka reaguar deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, e cila tha se është e befasuar me sjelljen, siç u shpreh ajo, primitive dhe patetike të deputetit Bajqinovci.
“Vërtet më befason shumë sjellja arrogante, primitive dhe patetike e kolegut tim deputet. Të flasësh për Flora Brovinën, e cila ia ka kushtuar një jetë të tërë këtij kombi duhet të skuqesh, deputet! Unë u skuqa kur ti e përmende Flora Brovinën për të keq. Kur i shet moral dikujt duhet të kesh kulturë edhe të dëgjosh! Kjo është e para, disiplinohu deputet, se nuk është kulturë të bërtasësh si në mal…Sot u përmend edhe motra ime, si një nga familjarët dhe nuk kam dashur asnjëherë që çështjet e familjes time t’i sjell në Kuvend. Por, po të përgjigjem shumë direkt dhe shumë konkret: Fatmire Musliu është një vajzë e Kosovës, e cila ka shkollim adekuat në shtetin gjerman dhe plotëson kushtet. Unë jam ballëhapur dhe krenare, sepse asnjëherë në jetën e saj nuk e ka shkelur ligjin. Asnjëherë nuk do të lejojë që t’i nënshtrohet ambasadorëve politikë e zvarranikë që emërohen nga dikush këtu dhe ajo të heshtë kur dhunohet Republika e Kosovës dhe do të reagojë edhe nga ZDF,”, tha ajo. /KosovaPress/