Site icon Telegrafi

Punësim merr rrull në SHBA

Punësimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rifituar vrullin e humbur gjatë dy muajve të kaluar. Edhe rritja e pagave gjatë muajit tetor duket e kënaqshme. Gjatë kësaj periudhe vendet e reja të punës vlerësohen në 180 mijë, bindshëm mbi nivelet e muajit gusht dhe shtator.

Këto të dhëna përforcojnë edhe më shumë mundësinë e ndërhyrjes së Rezervës Federale në muajin dhjetor për shtrëngimin e politikave monetare. Sipas ekspertëve, një normë rritje punësimi mbi 150 mijë në muaj, përkthehet në ndërhyrje të Rezervës Federale.

Pavarësisht kësaj, ekspertët shprehen se të dhënat nuk lënë vend për eufori. Punësimi në vrull së bashku me zgjerimin e aktivitetit në sektorin e shërbimeve, pritet të kenë një ndikim kyç në normat e rritjes gjatë tremujorit të fundit të vitit. Gjatë muajit tetor, pagat vlerësohen në një rritje prej 0.2 për qind, duke i dhënë fund stanjacionit të pagave.

Tashmë, rritja e pagave në bazë vjetore vlerësohet në 2.3 për qind, një hap i ngadaltë sipas ekspertëve. Norma e papunësisë vazhdon të mbetet kështu pranë niveleve minimale të 8 viteve të fundit, pranë 5.1 për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version